Pas një sinjalizimi të kompanive të basteve në mbarë botën dhe Prokurorisë së Milanos, Federata e Futbollit Italian ka nisur hetimet rreth disa ndeshjeve, të cilat konsiderohen si të trukuara. Kompanitë e basteve kanë dhënë menjëherë alarmin për ndeshjen ndërmjet Kievos dhe Sampdorias, e cila do të luhet të dielën më 3 prill, takim të cilin do ta gjykoj arbitri Markantonio Bentegodi. Ndeshjet e tjera të cilat janë nën hetim, janë ato që javës që shkoi, pra ajo e Serisë B, ndërmjet Padovës dhe Atalantës, dhe ajo e Serisë C2, ndërmjet Fondi dhe Neapolis. Dy ndeshjet e fundit kanë ngritur shumë dyshime, për shkak se për takimin Padova-Atalanta, i cili ka përfunduar 1-1, janë luajtur shuma marramendëse, pavarësisht se kompanitë e basteve ishin përpjekur të ruanin veten, duke ulur koeficientin e barazimit deri në 1.45. Madje në Evropë hera-herës kompanitë e basteve e kanë hequr nga lista e ndeshjeve këtë takim. Edhe për sa i përket ndeshjes Fondi-Neapolis, takim i cili përfundoi me rezultatin 3-2 për miqtë, janë luajtur shumë të mëdha, aq sa, në mëngjesin e së dielës, kompanitë e basteve e kanë hequr fare nga kuotat e basteve këtë takim, duke shpëtuar kështu veten nga falimentimi. Sepse, në rast se do të kishin pranuar të gjitha kërkesat e basteve që kishin, tani do t’i kishin vënë drynin kompanive të tyre. Por që të habit më shumë, është fakti që për takimin e së dielës ndërmjet Kievos dhe Sampdorias, janë luajtur një numër i madh eurosh mbi barazimin e këtij takimi.
Maldini rrezikon burgun për korrupsion
Ish-mbrojtësi i Milanit, Paolo Maldini, akuzohet nga Prokuroria e Romës për korrupsion dhe evazion fiskal, si dhe për falsifikim të të dhënave të bilancit të kompanisë së vet. Kështu që më datë 21 qershor, ish-kapiteni i Milanit do të paraqitet përballë Gjykatës së Milanos, së bashku me avokatët e tij, për t’u mbrojtur nga akuzat e Prokurorisë. Në rast se Paolo Maldini rezulton fajtor në kryerjen e këtij krimi, rrezikon edhe burgun. Prokuroria e Milanos e ka akuzuar Maldinin për korrupsion të ekonomistit Luçiano Bresi, i cili i ka falsifikuar bilancin e firmës “Velvet Sas”, pronar i së cilës është Maldini dhe bashkëshortja e tij.











