Kielini: Mospjesëmarrja në Europë, favorizuese për Juven

Nov 11, 2011 | 11:05
Kielini i gjakosur, me fanellen e Italise

“Duke mos qenë i angazhuar në Ligën e Kampionëve, është një gjë e mirë për Juventusin.” Kështu thotë Xhiorxhio Kielini, mbrojtësi ndërkombëtar i bardhezinjve, teksa është i grumbulluar me kombëtaren italiane. Ai vlerëson së këndejmi kredencialet e skuadrës së tij për të fituar “scudetto”, ngaqë është i përqendruar në këtë drejtim, ndërsa rivalë të tjerë në Seria A, si Milani, Interi etj, kanë angazhime të tjera, edhe në Champions. Juventusi është për momentin në vendin e katërt në renditjen e Seria A, por me një ndeshje më pak, pas shtyrjes së ballafaqimit të së dielës së kaluar kundër Napolit, për shkak të kohës së keqe. “Nuk është dicka e dëshirueshme për një skuadër si Juventusi mospjesëmarrja në Kupat e Europës, të kuptohemi, por kjo ka edhe dicka të mirë për momentin, mendoj: përqendrimi i të gjitha energjive në kampionat mund të jetë një avantazh për Juventusin, që të garojë dhe fitojë “scudetto”. Natyrisht, vitin e ardhshëm duam të jemi atje, duke garuar për kompeticionin më të rëndësiëhëm europian për klube, Ligën e Kampioneve, – citohet të ketë thënë Kielini për “Tuttosport”. – Megjithatë, është ende herët për të thënë nëse jemi favoritë për titullin. Unë mendoj se Milani dhe Napoli do të luftojnë bashkë me ne deri në fund, pasi kanë gjithashtu projekte të mëdha.”
Duke e kthyer fokusin te kombëtarja e Italisë, Kielini tha se është në pritje të kthimit të Antonio Kasanos dhe Xhusepe Rosit, të dëmtuar: “Italia humbet dicka nga vetja, nëse mungon Kasano dhe Rosi, prandaj jemi duke i pritur ata për finalet e Euro 2012. Megjithatë, ne kemi lojtarë të mëdhenj, që mund të amortizojnë edhe probleme të tilla,” tha mbrojtësi.

© Panorama.al

Te lidhura