
Turneu fillon në qytetin e Pukës, për të vazhduar në të gjithë Shqipërinë.
Një lajm i mirë vjen për teatrin shqiptar. Ndërsa institucionet vuajnë rrudhjet e buxheteve, që çojnë dhe në uljen e numrit të shfaqjeve, regjisori Kiço Londo njofton themelimin e Teatrit Shëtitës. Nën drejtimin e tij, me pjesëmarrjen e një grupi aktorësh të rinj të teatrit, Teatri Shëtitës krijohet me synimin për të zgjeruar hapësirat teatrore shqiptare. Me një synim të qartë dhe një strategji të mirëpërcaktuar, Kiço Londo e ka bërë publik këtë lajm pikërisht në ditën e lindjes së aktorit Robert Ndrenika. “Kujtoj se ky aktor i skenës së teatrit shqiptar, me një potencial të lartë aktorial, është një nga pionierët e studios së të rinjve të Teatrit Kombëtar, që punoi nën drejtimin e regjisorit Kujtim Spahivogli, është aktori i shfaqjes së parë “Harvey” të themelimit të Teatrit të Metropolit në Tiranë dhe njëherësh kumbar i sallës “Shekspir” në Teatrin e Metropolit”, tha Londo, i cili deri para pak kohësh ishte drejtor i Teatrit të Metropolit, ngritur me iniciativën e tij. Mësohet se Londo do të vijojë bashkëpunimin me aktorët e rinj, shumica e të cilëve e nisën rrugën e tyre pikërisht në sallat e vogla të Metropolit. Energjia e tyre pozitive do t’i bashkëngjitet përvojës së teatrove ekzistuese (aty ku kanë mbetur të tillë) në gjithë Shqipërinë, nga Veriu në Jug. Londo bën publike gjithashtu edhe shfaqjet e para të këtij teatri, i cili do të hapet me një pjesë për fëmijë, me shfaqjen e tij të parë në qytetin e Pukës. “Zërat e detit” do të jetë shfaqja e parë për fëmijë, shkruar nga Milena Selimi, e cila do të vihet në skenë nga regjisori Endri Çela. Ashtu si edhe në Teatrin e Metropolit, edhe në Teatrin Shëtitës, Londo vendos si një nga përparësitë e tij krijimin e teatrit të fëmijëve, duke besuar se u fal shpresë, ëndrra dhe fantazi spektatorit teatror të së ardhmes.
Dy shfaqjet e tjera të Teatrit Shëtitës do të jenë komedia “Jo vetëm gënjeshtra, bëj diçka”, shkruar nga Michael Pertwee, përkthyer nga Vasilika Londo dhe tragjikomedia “Vizita e damës plakë” e autorit Fridrih Dyrrenmat, përkthyer nga Ardian Klosi. Bëhet e ditur pjesëmarrja e Artistit të Popullit, Luftar Paja, në komedinë “Jo vetëm gënjeshtra, bëj diçka” dhe pjesëmarrja e Artistes së Popullit, Tinka Kurti, e cila vetëm pak ditë më parë u nderua nga Presidenti i Republikës me titullin e lartë “Nderi i Kombit”. Dy shfaqjet e para të Teatrit Shëtitës do të vihen në skenë nga regjisori Kiço Londo dhe do të realizohen në bashkëpunim me teatrin “Bylis” të Fierit, me pjesëmarrjen e aktorëve të trupës dhe aktorëve të tjerë të rinj nga trupa teatrore të Shqipërisë.











