
“Qenka si punë destini. Sa herë që arrij të vë 8 shfaqje në javë, më heqin nga puna…
Dhe nuk kam qenë as nxënës i tetës”. Kështu thotë Kiço Londo, duke u munduar të fshehë keqardhjen. Pas tri vitesh në krye të Teatrit të Metropolit, Bashkia e Tiranës, në varësi të të cilit është ky institucion, zgjidh kontratën me drejtorin Londo. I është kërkuar më parë të japë dorëheqjen, por Londo nuk ka pranuar. “Jam krijues, nuk kam pse bëhem pjesë e rotacionit politik”, është shprehur Londo. Por të premten i është komunikuar se kontrata e tij me Bashkinë e Tiranës do të zgjidhet. Në shkresën e dërguar nuk pati ndonjë arsye, por tashmë arsyeja dihet. Ndërrimi i krerëve të Bashkisë solli ndryshimin e gjithë drejtuesve të institucionit dhe kësaj nuk mund t’i shpëtonte as Kiço Londo, i vendosur në krye të qendrës kulturore “Tirana” nga ish-kryetari Edi Rama, pavarësisht se përpara tri vitesh nuk ekzistonte një Teatër Metropoli dhe as tri salla teatri. Londo shpreh keqardhjen, por shprehet se nuk do t’i ndalë projektet.
Z. Londo, pas disa vitesh pune intensive, ju nuk do të jeni më në krye të Teatrit të Metropolit, mund të na thoni arsyen?
Dy javë më parë më kanë thirrur të jap dorëheqjen. Sigurisht unë institucionin e dorëheqjes e respektoj, e kam menduar kur bashkëkumbari i teatrit, zoti Rama, iku nga detyra, por pastaj e gjykova që unë jam krijues, jam regjisor, iniciator për themelimin e Teatrit të Metropolit, të ngritjes së tri sallave, iniciator i projektit me të rinjtë. Pra, jam krijues dhe nuk kam përse të përzihem në këtë rotacion politik, dhe nuk e dhashë dorëheqjen. Para dy javësh nuk ia pranova as administratorit të përgjithshëm dhe as nënkryetares këtë, duke i thënë që unë jam njeriu i punës dhe se ata mund të më hiqnin, por punën time nuk e shembnin dot. Ditën e premte më thirrën përsëri në Bashki. Një zyrtar shumë i lartë më njoftoi se kanë nisur procedurat për zgjidhjen e kontratës dhe më pyeti se çfarë mendimi kisha unë. Kjo i ngjet me atë shprehjen e famshme të Woody Allen, që thotë: Unë do të të vras, çfarë mendimi ke ti? Në thelb, e gjithë kjo nisje procedure për mua është një fyerje, një lëndim, trishtim shumë i madh, ndërprerje e ëndrrës, e pagjumësisë. Unë nuk e dua gjumin. Si thotë Omar Khajami: “Kemi shekuj kohë të flemë në vetmi”. Më pëlqen të punoj, të komunikoj me të rinjtë, publikun, qytetarët e metropolit dhe gjithë Shqipërisë. Më pëlqejnë ëndrrat, shqetësimet dhe kjo ndërprerje lë një shije të hidhur. Megjithatë, unë nuk jam një njeri pa projekte. Projektet e mia vazhdojnë si regjisor, si menaxher krijues.
Edhe si ndërtues sallash ndoshta…?
Në këtë kryeqytetin tonë, përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” sallat i kanë ndërtuar të huajt dhe kryesisht Duçja. Jam munduar t’ia kaloj Duçes, duke ndërtuar më shumë salla në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, se çka ndërtuar ai. Më vjen keq që, për 45 vjet, sistemi diktatorial nuk ndërtoi asgjë të rëndësishme në fushën e teatrit, po kështu dhe 20 vjet demokracie kemi dështuar me sallat dhe të vetmet salla janë ato që janë ngritur në teatrin e metropolit dhe ajo me 200 vende në Teatrin Kombëtar. Dhe duke lënë mënjanë modestinë, mund të them se jam iniciator dhe drejtues i grupeve të punës që kanë ngritur këto salla në kryeqytet.
Megjithatë, ju duhet ta prisnit të përfshiheshit në rotacionin politik, edhe pse jeni krijues…
Pa dyshim që jam qytetar i këtij vendi, pjesë e këtij populli dhe nuk kam ndër mend të shaj as popullin dhe as vendin tim. Detyra ime është të respektoj veten si krijues, të respektoj kolegët, artistët e rinj, median, spektatorin dhe qytetarët e metropolit dhe të mos ndal projektet. Pritshmëritë në këtë vend janë çdo sekondë. Unë dal që të takoj një mik dhe, në vend që të takoj mikun, takoj krimin. Dal të pi një kafe dhe, kur hedh sytë nga televizioni, në vend që të shijoj kafen, dëgjoj lajmin se një nënë hodhi fëmijën e sapolindur nga kati i dytë i maternitetit dhe pastaj u hodh vetë dhe dëgjoj një mjek mediokër që thotë se nëna ka probleme dhe nuk e kupton se ajo është fatkeqe se fëmija vdiq dhe ajo është gjallë.
Ku do të zhvendosen projektet tuaja?
Kam nisur një projekt në Metropol, që është “Shtëpia e Bernarda Albës”, me protagoniste Luiza Xhuvanin. Kam kërkuar që projekti të mos ndërpritet. Nëse Bashkia e Tiranës nuk ka mundësi ta mbështesë këtë projekt, kam kërkuar që të bëhet pjesë me hapësirën, ndërsa financat do t’i siguroj përmes donatorëve privatë. Është shpejt të flas për projekte të së ardhmes. Tani jam me “Bernarda Albën” dhe jam i shqetësuar për të. Por jam i shqetësuar dhe do të ndjek punën për realizimin e të dy premierave për fëmijë që dalin javën tjetër, do të ndjek me vëmendje çeljen e sezonit të Cirkut të Metropolit, po ndjek dy shfaqjet e të rinjve “Çdo të hënë në 13.30” e “Lagjja 45” dhe momentalisht jam me të rinjtë e shfaqjes së Aristofanit, “Gratë në parlament”. Jam shumë i shqetësuar për ecurinë, sepse përderisa kam marrë një vendim, duhet ta çoj deri në fund.
Do vazhdoni punën me të rinjtë?
Do të vazhdoj misionin tim me të rinjtë. I kam kërkuar administratës së Bashkisë të mos e prekë Teatrin e Metropolit. I kam kërkuar të mos ua mbyllë derën të rinjve dhe, nëse kjo do të ndodhë, krijuesi Londo do reagojë shumë ashpër.
E dini kush do t’ju zëvendësojë?
Jo dhe më intereson shumë pak. Dëshiroj që ai që do të më zëvendësojë, ta bëjë më mirë se unë punën dhe do të jem në Metropol në çdo premierë, siç kam qenë dhe vazhdoj të jem në Teatrin Kombëtar, edhe pse ai është në krizë totale. Nuk do të më gëzojë asnjë luhatje nga misioni i Teatrit të Metropolit. Do t’i shtrëngoj dorën çdo drejtuesi që do ta bëjë punën më mirë se unë në Metropol. Do t’jua tregoj publikisht këtë.
ALMA MILE











