Përfaqësues të KFOR-it konfirmojnë se ka nisur largimi i barrikadave në komunën e Zubin Potokut. “Ata kanë nisur të heqin barrikadat dhe ky është hap i madh përpara”, i tha Radios Evropa e Lirë, zëdhënësi I KFOR-it, Uve Novicki.
Ky njoftim vjen disa orë, pasi mediat serbe raportuan se është arritur një marrëveshje mes serbëve dhe përfaqësuesve të KFOR-it për qarkullimin e lirë në rrugën Zveçan-Zubin Potok, përkatësisht në Jagnenicë, vend ky, në të cilin javën e kaluar, KFOR-i u përpoq të hiqte barrikadën e vendosur nga serbët.
“Nëse gjërat shkojnë kështu, ne do të kemi liri të lëvizjes në komunën e Zubin Potokut. Barrikadat janë hequr vetëm në komunën e Zubin Potokut”, tha Novicki.
Hapet Jarinja, serbët heqin barrikadën
Grupe serbësh kanë larguar të hënën pjesërisht një barrikadë nga dheu që ishte vendosur rreth 500 metra afër pikës kufitare në Jarinje, duke mundësuar kështu qarkullimin e automjeteve vetëm përmes një trake të rrugës.
Burime të Kosovapressit bëjnë të ditur se serbët të cilët udhëtojnë nga Kosova për në Serbi nga drejtimi i qytetit të Rashkës, kanë filluar ta përdorin këtë rrugë.
Serbët heqin njërën prej barrikadave në Jagnenjicë
Serbët kanë nisur të heqin barrikadën e Jagnenjicës pak para orës 11:30. Barrikada që bllokonte rrugën Jagnenjice-Zvecan-Zubin Potok po hiqet pas një marrëveshjeje qe duket se është arritur mes serbeve lokale te kesaj ane ne veri te Kosoves dhe KFOR-it.
Agjencia serbe e lajmeve Tanjug njofton se po ne baze te kesaj marrëveshjeje KFOR-i do te vendose atje nje pike per kontrollin e automjeteve.
Ky është rezultati i marrëveshjes së arritur të hënën nga përfaqësuesit e KFOR-it dhe kryetarit paralel të Zubin Potokut, Slavisha Ristic, për ta bërë këtë rrugë të kalueshme për trafik.
Ristic ka thënë se barrikada e tretë e ngritur nga serbët në rrugët dytësore të Jagnenjicës do të qëndrojë dhe se serbët do të rrinë aty.
“Ramë dakord që KFOR-it të largohet nga rruga, që trafiku të funksionojë, e kur të lirohet rruga, ata do të instalojnë një pikë kontrolli. Ky ishte kushti i tyre, ndërsa kushti jonë ishte që bashkë me ta kontrollin e trafikut ta kryejë policia lokale nga stacioni i Zubin Potokut. Ata e kanë pranuar këtë variant, ndaj do të hiqen makinat që janë shkatërruar gjatë aksionit të KFOR-it të para një jave”, ka thënë Ristic, duke theksuar se lirimi i rrugës nuk do të thotë largim i qytetarëve nga barrikadat tjera.
© Panorama.al











