Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas hetimit të nisur nga Policia e Shtetit, ndaj një numri të madh vlerësimesh negative në Google për bizneset shqiptare, duke e cilësuar ngjarjen si një “sulm të padëgjuar kriminal”.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama pretendon se pas këtyre vlerësimeve qëndron një fushatë e organizuar përmes mijëra llogarive të hapura enkas nga protestuesit që janë në shesh preh 41 ditësh, ndërsa bën me dije se autoritetet shqiptare kanë kërkuar ndihmën e kompanisë “Google” për të adresuar situatën.
Sipas kreut të qeverisë, sipërmarrjeve po u rikthehen vlerësimet pozitive, të cilat sipas tij janë dëmtuar nga ajo që e cilëson si “terror digjital”.
“Jehona e një TURPI ALLA SHQIPTARÇE arriti deri në majën e piramidës së Google, ku autoritetet tona kërkuan ndihmë për të nxjerrë një sërë sipërmarrjesh nga BLOZA E TERRORIT DIGJITAL të ushtruar prej pengmarrësve të protestës së flamingove, të cilët përmes 10 mijë llogarive të hapura enkas organizuan dhe orkestruan një SULM TË PADËGJUAR KRIMINAL mbi hotele, bujtina, restorante, duke u hequr me DHUNË yjet e mbledhura nga përshtypjet pozitive të klientëve”, shkruan Rama.
Në reagimin e tij, Rama ka përdorur tone të ashpra ndaj protestuesve, duke i akuzuar se kanë një qëndrim kundër investimeve dhe biznesit.
Po ashtu, ai ka quajtur protestuesit si: “naziskinësh me qeleshe e komunistash me flamur në qafë, laro e balo të duartrokitur me pasion nga dështakëzemërakë të rënë nga vakti, plot urrejtje, ligësi e mediokritet të pangushëllueshëm”.
Rama: Jehona e një TURPI ALLA SHQIPTARÇE arriti deri në majën e piramidës së Google, ku autoritetet tona kërkuan ndihmë për të nxjerrë një sërë sipërmarrjesh nga BLOZA E TERRORIT DIGJITAL të ushtruar prej pengmarrësve të protestës së flamingove, të cilët përmes 10 mijë llogarive të hapura enkas organizuan dhe orkestruan një SULM TË PADËGJUAR KRIMINAL mbi hotele, bujtina, restorante, duke u hequr me DHUNË yjet e mbledhura nga përshtypjet pozitive të klientëve👺
Pra, logjika e hurit dhe drurit që i ka dhënë protestës ngjyrën e sorrave e zërin e korbave: Nuk duam investorë të huaj, nuk duam biznese vendase, duam litar, burg, zjarr – tip naziskinësh me qeleshe e komunistash me flamur në qafë, laro e balo të duartrokitur me pasion nga dështakëzemërakë të rënë nga vakti, plot urrejtje, ligësi e mediokritet të pangushëllueshëm🤡
Policia vijon me hetimin e skemës kriminale, ndërkohë që me ndihmën e Google-it faqet e sipërmarrjeve po u rikthehen yjet e merituara me punë e mund të madh😍
© Panorama.al













