Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë dje vendim të bashkojë dhe t’i trajtojë në një të vetme kërkesat e Partisë Socialiste dhe të Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës. Në mbledhjen e paradites, kur u bënë dhe relatimet e këtyre tri çështjeve, u vendos që ato të shqyrtohen së bashku të hënën, në orën 09:30. Të parët që u ankuan në KQZ ishin socialistët, të cilët dy orë para mbylljes së afatit për t’u ankuar, depozituan dy kërkesa ankimore. Kërkesa e parë ka të bëjë me Vendimin Nr. 710 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për tabelën e rezultateve të Njësisë Bashkiake Nr. 5. Ky vendim u mor me katër votat e anëtarëve të djathtë të KQZ-së, ndërsa PS kërkoi që më parë të shprehet Kolegji për një kërkesë që kjo parti kishte bërë. Kërkesa e dytë ka të bëjë me vendimin e KQZ-së Nr. 711, për nxjerrjen e rezultatit përfundimtar të Bashkisë së Tiranës, ku rezultoi se Lulzim Basha ka marrë 81 vota më shumë. Ndërsa kërkesa e Partisë Demokratike u dorëzua pak minuta para përfundimit të afatit treditor. PD kërkon rivlerësimin dhe rinumërimin e votave të kontestuara në katër njësi bashkiake dhe përfshirjen e tyre në tabelën përfundimtare.
Kërkesat ankimore
1. Kërkesa e Partisë Socialiste për vendimin e KQZ-së për tabelën e KZAZ-së 49 në Tiranë
2. Kërkesa e Partisë Socialiste për vendimin e KQZ-së për tabelën përfundimtare të Bashkisë Tiranë
3. Kërkesa e Partisë Demokratike për rinumërimin e votave të kontestuara në Bashkinë e Tiranës.











