Kryetari i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka bërë një postim në Facebook, përmes të cilit komenton vendimet e Këshillit të Ministrave, që çoi në Kushtetuese vendimin e GJKKO për pezullimin dhe bllokimin e pasaportës të zv.kryeministres Belinda Balluku, e cila akuzohet për shkelje të barazisë në tendera.
Më 21 Nëntor Kryeministria çoi në Gjykatë Kushtetuese vendimin e GJKKO-së për ministren e Infrastrukturës e Energjisë, Belinda Balluku. Në shkresë, KM kërkon që vendimi i Gjykatës së Posaçme, të cilësohet anti-kushtetues.
Lidhur me kërkesën e qeverisë Bardhi thotë se “Për herë të parë në historinë e Shqipërisë, Kryeministri dhe Këshilli i Ministrave kanë ndërhyrë institucionalisht për të kërkuar shfuqizimin dhe pezullimin e një vendimi gjyqësor që cakton masa të sigurimit personal individualisht për një person. Askund, në asnjë vend demokratik, nuk ka ndodhur që Kryeministri dhe Këshilli i Ministrave të investohen institucionalisht në një rast individual për të goditur një masë sigurimi personal, qoftë kjo me karakter shtrëngues apo ndalues”.
Sipas Bardhit kryeministri Rama kërkon të shpallë Këshillin e Ministrave të pavarur nga detyrimi për të zbatuar me korrektësi ligjin.
Demokrati thekson se kryeministri po kërkon t’i bëjë presion drejtësisë.
“Ky është një akt i pastër dhe i paprecedent i mbrojtjes institucionale politike nga drejtësia. Ky është një mesazh i qartë politik i çimentimit të kulturës së pandëshkueshmërisë. Ky është një akt që provon se Edi Rama në emër të parimit “të ndarjes së pushteteve”, kërkon të shpallë Këshillin e Ministrave të pavarur nga detyrimi për të zbatuar me korrektësi ligjin. Ai kërkon t’i bëjë presion drejtësisë, me shpresën se do të nxjerrë jashtë binarëve kushtetues vetë Gjykatën Kushtetuese, që ekziston si garanci për kushtetutshmërinë dhe kurrsesi për pandëshkueshmërinë”, shkruan Bardhi.
Reagim i Kryeatrit të Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi
Për herë të parë në historinë e Shqipërisë, Kryeministri dhe Këshilli i Ministrave kanë ndërhyrë institucionalisht për të kërkuar shfuqizimin dhe pezullimin e një vendimi gjyqësor që cakton masa të sigurimit personal individualisht për një person. Askund, në asnjë vend demokratik, nuk ka ndodhur që Kryeministri dhe Këshilli i Ministrave të investohen institucionalisht në një rast individual për të goditur një masë sigurimi personal, qoftë kjo me karakter shtrëngues apo ndalues.
Pa asnjë dyshim që vetë e pandehura ka gjithë të drejtën që të ndjekë rrugët ligjore për mbrojtjen e saj, përfshirë ankimin e vendimit gjyqësor për caktimin e masës ndaluese, duke nisur me Gjykatën e Apelit – Gjykatën e Lartë – Gjykatën Kushtetuese. Por nuk ndodh askund që një i pandehur të përdor si Avokat, Kryeministrin/Këshillin e Ministrave, për të kërkuar shfuqizimin e një vendimi gjyqësor individual për të, apo të kërkojë përmes tyre pezullimin e efekteve të vendimit gjyqësor.
Ky është një akt i pastër dhe i paprecedent i mbrojtjes institucionale politike nga drejtësia. Ky është një mesazh i qartë politik i çimentimit të kulturës së pandëshkueshmërisë. Ky është një akt që provon se Edi Rama në emër të parimit “të ndarjes së pushteteve”, kërkon të shpallë Këshillin e Ministrave të pavarur nga detyrimi për të zbatuar me korrektësi ligjin. Ai kërkon t’i bëjë presion drejtësisë, me shpresën se do të nxjerrë jashtë binarëve kushtetues vetë Gjykatën Kushtetuese, që ekziston si garanci për kushtetutshmërinë dhe kurrsesi për pandëshkueshmërinë.
Është e qartë që kjo lëvizje ka vetëm efekte politike, më saktë është mjet presioni/mesazhi politik, dhe nuk synon zgjidhje juridike.
Prandaj, kërkesa e Edi Ramës, që synon vetëm të japë mesazhin mafioz për organet e drejtësisë se e pandehura Belinda Balluku nuk është si të gjithë të pandehurit e tjerë, por gëzon mbrojtje të posaçme politike/institucionale nga Kryeministri/Këshilli i Ministrave, meriton vetëm përbuzje, si një akt antidemokratik, antikushtetues, veçanërisht nga vetë organet e drejtësisë, përfshirë Gjykatën Kushtetuese, që është përpara sprovës për të mbrojtur të drejtën për hetim të plotë, të pacenueshëm, të gjithanshëm, të papenguar, të organeve hetimore. Ky është një moment i rëndësishëm në jetën institucionale të vendit për të provuar se pushteti gjyqësor nuk varet nga statusi i posaçëm që pushteti ekzekutiv i jep të pandehurve të veçantë, dhe se kushdo është i barabartë përpara ligjit.
Balluku nen hetim per dy tendera, e pezulluar nga detyra
Kujtojmë që Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të shtunën më 22 nëntor të vazhdojë zbatimin e masave të sigurimit personal të caktuara ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, për pezullim nga detyra dhe ndalim të daljes jashtë shtetit të saj, pas marrjes së pandehur nga ana e SPAK për shkelje të barazisë në tenderin e Tunelit të Llogarasë dhe të lotit 4 të Unazës së Jashtme të Tiranës, vepra penale të kryera në bashkëpunim me vartësit e saj.
Po ashtu, u vendos vijimi i masave të sigurimit personal “Arrest në shtëpi” ndaj të pandehurit Erald Elezi me funksion aktual administrator i Koorporatës Elektroenergjitike Shqiptare, KESH dhe për drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, ARRSH, Gentian Gjyli. Gjykata urdhëron SPAK dhe shërbimet e policisë gjyqësore për zbatimin e këtij vendimi.
Zëvendëskryeministrja, njëkohësisht ministre e Energjetikës dhe Infrastukturës, Belinda Balluku, si dhe Gjyli e Elezi nuk iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve kur hynë dhe dolën nga ambjentet Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, ku qëndruan për rreth pesë e orë e gjysmë gjatë seancës me objekt marrjen në pyetje dhe verifikimin e kushteve dhe kritereve të zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues dhe ndalues, të caktuar më 19 nëntor.
Balluku, ish-drejtori i ARRSH-së, Evis Berberi, Gjyli, Elezi e vartës të tjerë të saj, akuzohen se kanë manipuluar dy tenderat për Tunelin e Llogarasë dhe të lotit 4 të Unazës së Jashtme të Tiranës, me vlerë totale 210 milionë euro, duke favorizuar kompanitë fituese.
Sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, Masat e sigurimit ndaj Ballukut, si dhe ndaj vartësve të saj që drejtojnë KESH dhe ARRSH, janë të nevojshme pasi mund të dëmtojnë provat, të ndikojnë tek punonjësit e këtyre institucioneve që janë duke u pyetur si dëshmitarë, mund të vijojnë të abuzojnë me fondet publike, si dhe se mund të arratisen. Masat e sigurimit ndaj Ballukut çmohen nga gjykata se, nuk e oengojnë atë të ushtrojë funksionin si e zgjedhur në Kuvendin e Shqipërisë.
Vendimi i GJKKO:
- Kërkuesi Prokuroria e Posaçne kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 21.11.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Marrja në pyetje dhe verifikimi i kushteve dhe kritereve të zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues dhe ndalues, caktuar me vendimin Nr. 118, datë 19.11.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj të pandehurve Belinda Balluku, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi”.
- Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, me vendimin nr. 120, datë 22.11.2025, vendosi:
- Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe masës së sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, (si Zv. Kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë), të parashikuara nga nenet 233 dhe 242 të K.Pr.Penale, ndaj të pandehurës Belinda Balluku, të caktuara me vendimin nr. 118, dt. 19.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
- Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, ndaj të pandehurit Gentian Gjyli, e caktuar me vendimin nr. 118, dt. 19.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
- Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, ndaj të pandehurit Erald Elezi, e caktuar me vendimin nr. 118, dt. 19.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
- Saktësimin e adresës së zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi” duke urdhëruar të pandehurin Erald Elezi që të mos largohet nga banesa e tij që ndodhet në qytetin e **** me adresë: ****
- Urdhërohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe shërbimet e policisë gjyqësore për zbatimin e këtij vendimi.
- Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar brënda 5 ditëve, nga njoftimi i vendimit të gjykatës.
Tiranë, më datë 22.11.2025
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar












