Kërcënoi zyrtarin, ia hedh vetëm me një gjobë

Mar 18, 2011 | 8:56

Konsiderojeni thuajse një falje. Kjo pasi presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj, e ka kaluar me vetëm një gjobë gjithë sherrnajën dhe këncënimin deri fizik në zyrat e Federatës Shqiptare të Futbollit, ndaj dezinjatorit të arbitrave, Arsen Hoxha. Në vendimin e dhënë dje nga Disiplina, thuhet se presidenti i ballshiotëve, për sjellje jo sportive ndaj zyrtarit të FSHF-së, në bazë të neneve 3, 10, 11 e 76 të KDS-së, dënohet me 100 mijë lekë gjobë. Kujtojmë se në asnjë nga nenet e mësipërme nuk rezulton shprehja; “sjellje jo sportive ndaj zyrtarit të FSHF-së”, të cilën faktikisht e gjejmë në nenin 48 të rregullores, në bazë të të cilit çdo individ, zyrtar klubi apo shoqate që bën sjellje jo sportive, dënohet me të paktën tre ndeshje dhe ky ndëshkim shoqërohet dhe me një gjobë që shkon nga 100 mijë lekë (të rinj), deri në 300 mijë lekë (të rinj). Kapllanaj kërcënoi në zyrat e federatës (kjo e deklaruar në media edhe nga vetë Hoxha) dezinjatorin e arbitrave, duke shkuar deri në ofendime nga më të ulëtat. Një gjë e tillë është parë edhe nga nëpunësit e tjetër të FSHF-së, ndaj, për rastin në fjalë, komisioni ka pasur më shumë se kurrë indicie dhe dëshmi për një gjykim sa më të drejtë të rastit në fjalë. Ndërkaq, Komisioni i Disiplinës ka ndëshkuar me të drejtë kapitenin e Bylisit, Amarildo Dimo, për lojën e rëndë ndaj lojtarëve kundërshtarë, në ndeshjen ndaj Flamurtarit. Dimo nuk do të luajë për dy ndeshje dhe, para se të zbresë sërish në fushën e lojës, do t’i duhet të paguajë edhe një gjobë prej 100 mijë lekësh (të rinj). Kujtojmë, se kapiteni i ballshiotëve duhet të ishte ndëshkuar të paktën tri herë me karton të kuq (në fakt do mjaftonte, një karton, i pari) për ndërhyrjet e tija mjaft të ashpra në dëm të mesfushorit të vlonjatëve, Nijas Lena (dy herë) dhe kapitenit, Artan Sakaj. Gjestet e tija u dënuan nga gjithë opinioni sportiv, madje edhe vetë lojtari doli në një konferencë për shtyp një ditë më vonë, duke kërkuar të falur për faullet e rënda ndaj lojtarëve të Flamurtarit.

Vendimet e Komisionit të Disiplinës

1. Lojtari i KF Bylis, Amarildo Dimo, për lojë të rëndë ndaj lojtarëve kundërshtarë, në bazë të neneve 48 e 77 të KDS-së, dënohet me 2 ndeshje pezullim dhe 100 mijë lekë gjobë.
2. Presidenti i KF Bylis, Besnik Kapllanaj, për sjellje jo sportive ndaj zyrtarit të FSHF-së, në bazë të neneve 3, 10, 11 e 76 të KDS-së, dënohet me 100 mijë lekë gjobë.
3. Zyrtari i KF Flamurtari, Geri Çipi, për deklarata cënuese ndaj zyrtarëve të FSHF-së në shtyp, në bazë të neneve 3, 10, 15 e 76 të KDS-së, dënohet me 100 mijë lekë gjobë.
4. Kërkesa ankimore e trajnerit, Nevil Dede për shlyerje të detyrimeve nga KF Tirana do të merret në shqyrtim në mbledhjen e ardhshme të Komisionit më datë 23/03/2011 ora 16:00, pasi është e nevojshme të dëgjohen palët e interesuara për t’u dëgjuar nga komisioni e për të paraqitur provat përkatëse. Për këtë arsye, thirret ankuesi dhe klubi, të paraqiten në mbledhjen e datës 23/03/2011 ora 16:00 për t’u dëgjuar nga Komisioni i Disiplinës.
5. Trajneri i KF Fieri Arjan Hoxha, për sjellje jo sportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të neneve 49 e 141 të KDS-së dënohet me 8 (tetë) ndeshje pezullim dhe 50 mijë lekë gjobë.
6. KF Burreli për hedhje të sendeve të forta në fushë me pasoje dëmtimin e trajnerit kundërshtar, në bazë të neneve 66 e 141 të KDS-së dënohet me zhvillimin e dy ndeshjeve pa praninë e spektatorëve dhe 100 mijë lekë gjobë.

 

LEONARD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura