Kërcënoi prokurorët me molotov, mbyllet në Psikiatri 72-vjeçari

Dec 17, 2011 | 11:52
Gjykata e Tiranes

TIRANE – Gjykata e Tiranës vendosi izolimin e përkohshëm në një spital psikiatrik të 72-vjeçarit të arrestuar dy ditë më parë, si personi që hodhi një bombë “Molotov” të pandezur në rrethimin e Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas vendimit, i dyshuari Rahmi Karasani do të qëndrojë i shtruar në një spital psikiatrik deri në një vendim tjetër gjyqësor. Gjatë kësaj kohe Karasani do t’i nënshtrohet një ekspertimi psikik, që do të vlerësojë përgjegjshmërinë e tij mendore. Seanca e caktimit të masës së sigurisë ndaj 72-vjeçarit u zhvilluar mesditën e djeshme. Në seancë, ku media u la të qëndronte vetëm pak minuta, i dyshuari Rahmi Karasani u paraqit i qetë, i veshur me xhinse dhe një xhaketë të zezë. Ai konfirmoi gjeneralitetet e tij para gjykatës. Tha se ishte i divorcuar dhe se jetonte i vetëm. Ai nuk mundi të sqarojë adresën e saktë të familjes së tij, duke thënë se “s’e mbante mend mirë”. Në vijim gjykata boshatisi sallën nga mediat dhe vijoi seancën. Burime pranë Gjykatës sqaruan se në vijim i dyshuari qëndroi i pafjalë dhe nuk shfaqi pretendime para gjykatës. Në përfundim të seancës, gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë për shtrimin e përkohshëm në Psikiatri të 72-vjeçarit të akuzuar për “kanosje e fyerje për shkak të detyrës të gjyqtarit ose prokurorit”. Ngjarja për të cilën u arrestua 72-vjeçari Karasani u shënua mbrëmjen e 12 dhjetorit, kur ai hodhi një objekt në rrethimin e brendshëm të godinës së Prokurorisë së Përgjithshme në Tiranës. “Rahmi Karasani u ndalua pasi më datë 12 dhjetor 2011, rreth orës 22:00, në rrugën ‘Qemal Stafa’, ka kanosur dhe ofenduar për shkak të detyrës, nëpërmjet një letre dhe një shisheje me lëndë djegëse të pandezur, dy prokurorë të Tiranës me iniciale Gj. T. dhe S. S.”, pohoi zyrtarisht policia pas arrestimit të tij. ar.ba

Mesazhi

Shishen me lëndë djegëse të pandezur, të hedhur në oborrin e godinës së Prokurorisë, 72-vjeçari e kishte mbështjellë me një letër. Aty ai shkruante se kërkonte zbardhjen e tabulateve të dy prokurorëve të cituar me emër. Gjatë pyetjeve në polici, Karasani ka pranuar autorësinë dhe ka pretenduar se prokurorët nuk e kishin ndihmuar për një konflikt të tijin në një çështje pronësie.

© Panorama.al

Te lidhura