Kërcënoi prokurorët me bombë, ndalohet i dyshuari

Dec 15, 2011 | 12:31
Prokuroria e Përgjithshme e Tiranës

Tiranë, Policia: 72-vjeçari hodhi një shishe me benzinë për t’u hakmarrë për pushimin e dosjes.

Arrestohet nga policia personi i dyshuar për hedhjen e bombës molotov në ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme. I dyshuari është vënë në pranga me akuzën se ka kërcënuar, nëpërmjet letrës që ndodhej brenda në shishe, dy prokurorë. Policia e Tiranës tha dje se është arrestuar si autor i dyshuar i ngjarjes 72-vjeçari Rahmi Karasani. I dyshuari është vënë në pranga në banesën e tij, në afërsi të zonës së njohur si “Fresku” në Tiranë, ku jeton i vetëm, pasi është braktisur nga bashkëshortja. Në njoftimin zyrtar të Policisë thuhet se “Rahmi Karasani u ndalua pasi më datë 12 dhjetor 2011, rreth orës 22:00, në rrugën ‘Qemal Stafa’, ka kanosur dhe ofenduar për shkak të detyrës, nëpërmjet një letre dhe një shisheje me lëndë djegëse të pandezur, dy prokurorë të Tiranës me iniciale Gj. T. dhe S. S.”. Nga teksti i letrës mësohet se i dyshuari, që rezulton të jetë me probleme psikike, kërkonte të zbardheshin tabulatet e prokurorëve që kishte përmendur. Gjatë marrjes në pyetje në Komisariatin Nr. 1, Karasani ka pranuar autorësinë e ngjarjes, duke pretenduar se prokurorët nuk e kanë ndihmuar me një çështje pronësie që ai ka me një biznesmen. Burimet thanë se materialet hetimore në ngarkim të tij i kanë kaluar Prokurorisë së Tiranës, me akuzën e “kanosjes e fyerjes për shkak të detyrës të gjyqtarit ose prokurorit”. Burime nga grupi hetimor thanë se 72-vjeçari, të njëjtin veprim e ka kryer edhe në nëntor të vitit 2010, kur arriti të hynte në zyrën e një prokurori në Prokurorinë e Tiranës me një shishe të ngjashme me atë që u gjet dy ditë më parë. Por, herën e parë ai nuk u procedua penalisht për shkak të problemeve psikike, por edhe pasi vetë prokurori kërkoi që të mos ndiqej si çështje.
KERCENIMI
Një prej rojeve të Prokurorisë së Përgjithshme, Xhevahir S., ka kërkuar ndërhyrjen e policisë mbrëmjen e së hënës në rrugën “Qemal Stafa” në Tiranë, pasi dyshonte për një bombë artizanale që ishte hedhur brenda institucionit. Incidenti ka ndodhur rreth orës 22:20 dhe ngjarja u klasifikua si “kanosje” në drejtim të prokurorëve që ishin përmendur me emër në letrën që ndodhej në shishe. Burime nga Policia thanë se shishja është gjetur brenda organit qendror të akuzës. Brenda shishes ndodhej një sasi e vogël benzine dhe një fitil përcjellës, por i pandezur. Ngjarja është marrë në hetim nga oficerët e Komisariatit Nr.1 dhe nga specialistë të Antiterrorit të Policisë së Tiranës. Personi i arrestuar për këtë ngjarje, Rahim Karasani, rezulton të ketë pasur një problem pronësie me një ndërtues me iniciale F. M., që pretendon se e ka mashtruar duke i dhënë një apartament te “Fresku”, nga dy që kishin rënë dakord. Ky ka qenë motivi që ai i është drejtuar prokurorisë në vitin 2009, për të bërë një kallëzim penal ndaj biznesmenit. Por, në momentin që prokurorët e kanë orientuar për të bërë padi civile në gjykatë, ai ka supozuar vazhdimisht se hetuesit po përkrahnin ndërtuesin dhe ka nisur “fushatën” e fyerjeve dhe kërcënimeve ndaj tyre.

Letra kërcënuese
“Zbardhni tabulatet…”. Ky është mesazhi që u është transmetuar dy prokurorëve që citonte me emër në letrën e futur brenda shishes me benzinë dhe fitil përcjellës, nga i dyshuari Rahmi Karasani. Ai ka arritur ta hedhë shishen brenda Prokurorisë së Përgjithshme mbrëmjen e së hënës, por pa ndezur fitilin e saj. Letra u mor në shqyrtim nga grupi hetimor, megjithëse, sipas burimeve, nuk është arritur të deshifrohet i gjithë teksti për shkak se lagështira kishte fshirë një pjesë të saj. Por, në një pjesë të tekstit të saj janë dalluar emrat e prokurorëve të Tiranës Gj. T. dhe S. S. dhe në fund të saj kërkesa në formë presioni: “Zbardhni tabulatet”.

Precedenti
Sipas hetimeve të policisë, 72-vjeçari i arrestuar për incidentin e fundit te Prokuroria e Përgjithshme ka pasur edhe më parë një precedent të ngjashëm. Ai, në nëntor të vitit 2010, ka tentuar të futet në ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme me disa sende, të cilat nuk pranoi t’i nënshtroheshin kontrollit. Për këtë shkak, policia e shoqëroi për disa orë të dyshuarin, i cili më pas u la i lirë.

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura