
Kërcënohet para zyrës së tij prefekti i Vlorës, Eduart Velçani. Dy vëllezër, të cilët kishin një dokument në dorë për të firmosur, kanë tentuar të qëllojnë Velçanin, por kur kanë ndërhyrë punonjësit e prefekturës, të rinjtë sulmuan ambientet e zyrave, duke i dëmtuar ato. Ngjarja ka ndodhur paraditen e djeshme, kur dy të rinjtë, të identifikuar nga policia si Ilir Limushaj, 26 vjeç dhe Erjon Limushaj, 20 vjeç, janë paraqitur në zyrat e prefekturës për të vulosur një dokument pronësie. Ndërsa kanë lëvizur nëpër zyrat e prefekturës, ata janë përballur me prefektin Velçani, duke tentuar ta qëllojnë atë, por pa mundur ta dhunojnë fizikisht. Prefekti pohoi dje për gazetën se nuk i njihte dy të rinjtë. Ai tregon momentin kur është përplasur me ata, para derës së zyrës së tij.

“Pasi shkova në zyrë, punova për rreth një orë dhe më pas po dilja për të shkuar në një takim. Tek dera më dalin dy djem me zë të lartë, që më kërkojnë t’u firmosja një dokument pronësie. Pa u kërkuar se çfarë dokumenti ishte, i drejtova për tek zyra përkatëse, por dy të rinjtë filluan me fyerje dhe kërcënime ndaj meje. Me qetësi u tregova dhe një herë se ku duhej të shkonin për të vazhduar procesin e dokumenteve që duheshin firmosur nga zyrat përkatëse. Në kohën kur ata po debatonin me mua, ndërhyn një punonjës i prefekturës, si dhe roja privat i policisë. Unë hyra në zyrë, ndërsa dy personat vazhdonin të më kërcënonin dhe më pas janë konfliktuar fizikisht me dy punonjësit e prefekturës, si dhe kanë qëlluar me grushte rojën e policisë private dhe dy punonjësit e policisë. Në ikje e sipër, dy të rinjtë kanë thyer xhamat e dyerve të prefekturës”. Pyetjes nëse dy të rinjtë tentuan ta godisnin, prefekti u përgjigj se ata ishin drejt këtij veprimi, por i ndali ndërhyrja e dy punonjësve të prefekturës dhe roja. Të rinjtë kanë qëlluar dhe rojën private, i cili tentoi të ndalte dhunën ndaj institucionit. Pasi kanë kryer këto veprime, të rinjtë kanë thyer xhamin e derës kryesore të prefekturës dhe janë larguar. Punonjësit e prefekturës kanë njoftuar menjëherë strukturat e policisë, që kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe kanë mundur të ndalojnë në kohë dy vëllezërit, të dy nga Vlora. Policia vijon ekspertizën dhe të rinjtë që shkaktuan incidentin janë në komisariatin e policisë së Vlorës. Dy vëllezërit kanë pohuar se bëhej fjalë për një firmosje dokumenti, por sorollatja sipas tyre nga ana e punonjësve të prefekturës ka sjellë dhe acarimin e tyre, deri në ndërmarrjen e këtyre veprimeve të dhunshme.
Prefekti: Shteti të marrë masa pas vrasjes së Konomit
Prefekti Eduart Velçani pohoi dje se prej kohës që ai është në këtë detyrë, nuk është kërcënuar asnjëherë më parë. “Por këtu nuk bëhet fjalë se u dhunua prefekti apo Velçani, por u dhunua prefektura, një institucion i shtetit. Unë u bëj thirrje autoriteteve përkatëse që të marrin masat e duhura për forcimin e rendit ligjor në Vlorë, duke marrë shkas dhe nga ngjarja e rëndë e ndodhur para disa ditësh, ku ngeli i vrarë me bombë gjyqtari Skerdilajd Konomi”, u shpreh prefekti i Vlorës. Gjithsesi, pavarësisht nga kërcënimet e ditës së djeshme dhe incidentit, ai thotë se do të vijojë të lëvizë i lirë.
VLORE/ QEMAL BIRAKU
© Panorama.al











