Kërcënimi i Lesit me SMS, nis hetimi

Dec 22, 2011 | 12:19

Nikollë Lesi dhe Ish-kryeministri Fatos Nano

Prokuroria: Zv.ministri është fyer dhe është kanosur në telefon.

Prokuroria e Tiranës regjistroi procedim penal me akuzat e kanosjes dhe fyerjes për shkak të detyrës për padinë e Nikollë Lesit. Zv.ministri i Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve ka bërë padi në Prokurorinë e Tiranës ditën e hënë, duke pretenduar se ka marrë mesazhe kërcënuese dhe tepër fyese nga numri celular 0692026969. Të hënën rreth orës 11:00, Nikollë Lesi me një dosje në dorë është shfaqur tepër i shqetësuar, ndërsa priste të dorëzonte kallëzimin në katin e katërt të Prokurorisë së Tiranës. Pas marrjes së padisë në dorëzim, mësohet se kreu i Lidhjes Demokristiane Shqiptare ka dorëzuar në Prokurori edhe mesazhet telefonike, në të cilat pretendon se është kërcënuar. Padia e bërë nga Nikollë Lesi e orienton hetimin drejt ish-kryeministrit Fatos Nano, i cili në kallëzimin penal të Lesit cilësohet si mbajtës i numrit telefonik celular, nga i cili kanë mbërritur mesazhet. “Pas një shqyrtimi paraprak të materialeve të kallëzimit është bërë regjistrimi i procedimit penal për veprat penale fyerje dhe kanosje”, thanë burimet e Prokurorisë. Sipas tyre, dosja ka marrë një numër protokolli dhe i është lënë një prokurori që është ngarkuar me kryerjen e veprimeve hetimore. Ndonëse Lesi përmend Fatos Nanon si të dyshuar, mësohet se prokuroria do të verifikojë me shkresa pronësinë e numrit të telefonit nga i cili janë dërguar mesazhet. Nga ana tjetër është bërë edhe këqyrja e telefonit celular të Nikollë Lesit. “Në telefonin celular të kallëzuesit janë marrë 3-4 mesazhe të mbërritura mes datave 10-18 dhjetor”, kanë thënë burimet e Prokurorisë së Tiranës. Sipas tyre, veç mesazheve me përmbajtje kërcënuese, SMS i fundit që është gjetur në telefonin e Nikollë Lesit përmbante një kërkesë për falje “për mesazhet e mëparshme”, ku theksohej se fyerjet e kanosjet nuk kanë qenë të qëllimshme. Gazeta “Panorama” publikoi dje një letër të hapur të Nikollë Lesit, ku ai kërkonte mbështetjen e Presidentit Bamir Topi, ministrit të Bren-dshëm, Nishani e Kryeministrit Berisha, teksa pohonte se ai dhe familja e tij janë kërcënuar nga Fatos Nano. Sipas Nikollë Lesit, Nano “e ka humbur kontrollin” pasi ka mësuar se kreu i Lidhjes Demokristiane po lobon kundër përpjekjeve të Nanos për t’u zgjedhur në funksionin e Presidentit të vendit. Çështja e mëparshme e hetuar në Prokurori mes Nikollë Lesit dhe Fatos Nanos ka qenë dosja e hapur në nëntor 2004 nga organi i akuzës pas deklaratave të bëra në Parlament. Nikollë Lesi bëri akuza publike ndaj Fatos Nanos, por Prokuroria e Përgjithshme pas një hetimi disamujor i cilësoi akuzat në fjalë të pabazuara dhe vendosi pushimin e hetimeve.

Identifikohet kërcënuesi i Ballës
Prokuroria e Tiranës ka identifikuar me emër dhe mbiemër personin që ka dërguar mesazhe kërcënuese në adresë të deputetit të PS, Taulant Balla, në tetor të këtij viti, pas një debati që ai ka pasur në Parlament me ministrin e Inovacionit, Genc Pollo. Sipas burimeve nga organi i akuzës, pronari i numrit telefonik që ka kërcënuar Taulant Ballën, u identifikua plotësisht edhe pse ai kishte përdorur “numër të fshehur” gjatë thirrjeve të bëra në celularin e deputetit. Nga Prokuroria mësohet se deputeti i PS, Taulant Balla, është pyetur në lidhje me poseduesin e numrit që ka kryer kërcënimet, por ka thënë se nuk e njeh këtë person. I dyshuari është thirrur në Prokurori për të dhënë shpjegime se si nga numri i tij i janë bërë kërcënime deputetit të PS.

Trazhgim Sokolaj

 

© Panorama.al

Te lidhura