Stuhia e dallgët deri në 6 ballë shkaktuan këputjen e litarëve të tragetit “Veronika”. Mëngjesin e djeshëm, trageti i sekuestruar nga Prokuroria prej më se 16 muajsh, është gjendur në cekëtinë. Kjo ngjarje solli pezullimin e punës në Portin e Vlorës si për tragetet, ashtu edhe për anijet tregtare e ato të peshkimit. “Për shkak të kohës shumë të keqe që prej 24 orësh dhe dallgëve të mëdha, trageti “Veronika” ka këputur cimat (litarët) që ishte i lidhur në kalatë dhe gjatë natës është gjendur në mëshirë të dallgëve. Në orët e para të mëngjesit, trageti ka kapur në rërë në cekëtinë duke mbetur aty”, bënë të ditur burime nga Porti. Anijet që kanë qenë të ankoruara në mol, janë larguar me qëllim që të evitohej ndonjë përplasje. Rreth orës 10:00, në vend mbërriti një përfaqësues i pronarit të tragetit. Me ndihmën e specialistëve ai ka mundur të lidhë dy litarë në një anë të tragetit, për të penguar lëvizjen e tij. Por nuk ka mundur ta sigurojë atë që të mos lëvizë më nga cekëtina, apo ta ankorojë në kalatë. Tashmë mjeti lundrues rrezikon të përplaset me tragete apo anije të tjera në kalatë. Por nëse dallgët e forta që mund të vijnë gjatë natës do ta zhvendosin atë nga cekëtina, atëherë trageti mund të dalë në det të hapur, duke rrezikuar përplasjen me mjete të tjera detare që i afrohen Portit të Vlorës. Kjo ka vënë në alarm autoritetet portale, të cilët gjatë ditës së djeshme nuk kanë mundur dot të manovrojnë për ta lidhur sërish në kalatë mjetin e sekuestruar për shkak të mosmarrëveshjeve financiare ndërmjet pronarëve të saj. “Trageti është braktisur nga pronarët. Pranë mjetit ka qenë vetëm një roje, i cili nuk kishte se çfarë t’i bënte në momentin e shkëputjes së tij nga moli. Kemi njoftuar të gjitha anijet që kanë qenë në ankoruara, që të dalin në radë për të evituar përplasjen”, u shprehën përfaqësues të kapitanerisë së Portit të Vlorës. Sipas autoriteteve të kapitanerisë, për këtë situatë është njoftuar edhe ministria përkatëse dhe pritet marrja e masave prej saj për të evituar ndonjë katastrofë të mundshme detare. Gjatë shkëputjes dhe lëvizjes së “Veronika”, në mënyrë të pakontrolluar, është dëmtuar pjesërisht kalata, si dhe dy mjete lundruese, të cilat përdoren për të futur e nxjerrë anijet nga porti. Për sa kohë ka qëndruar i bllokuar trageti, aq kanë jetuar në të dhe 10 marinarët. Duke shpresuar se do të paguheshin për muajt që kishin punuar ata nuk e braktisnin vendin e punës, duke qëndruar dhe ata të bllokuar bashkë me tragetin. Por, dy javë më parë mësohet se ata e kanë lënë “Veronikën”, pas shuarjes së shpresës për t’u zgjidhur kjo çështje. Nuk dihet destinacioni i tyre, por ata jetonin në kushte mjaft të këqija dhe me mungesa në ushqim në traget, duke e pasur të pamundur të vijonin jetesën në të.
VLORE/ QEMAL BIRAKU











