KE: Rishikoni Planin e Veprimit

Dec 12, 2011 | 12:07

“Konsensus PD-PS dhe raporte çdo 3 muaj për progresin”

Komisioni Europian propozon rishikimin e Planit të Veprimit për plotësimin e 12 rekomandimeve për marrjen e statusit të vendit kandidat. Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në KE, Stefano Sanino, i ka dërguar së fundmi një letër ministres së Integrimit, Majlinda Bregu dhe kryetarit të Komisionit Parlamentar për Integrimin, Ditmir Bushati, ku paraqet këndvështrimin e Brukselit për adresimin e këtyre rekomandimeve. “Progresi i raportit i këtij viti për Shqipërinë thekson punën e mirë të ndërmarrë në përgatitjen e një Plani Veprimi për të adresuar prioritetet kryesore të identifikuara në Opinionin 2010 mbi aplikimin për anëtarësimin e vendit tuaj. Raporti bën me dije progresin në disa prej fushave kryesore, prioritare, por ai thekson gjithashtu nevojën për përpjekje të mëtejshme, për të përmbushur me sukses të gjitha prioritetet kryesore, përfshirë ato ku është i nevojshëm konsensusi ndërmjet shumicës qeverisëse dhe opozitës”, shprehet Sanino në letrën e tij. Në këto kushte, drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin thekson se qeveria dhe opozita duhet të bashkëpunojnë për rishikimin e Planit të Veprimit, këtë herë duke marrë konsensus të gjerë. “Sa i përket sfidave të identifikuara në Progres-Raport dhe duke marrë parasysh momentumin e ri aktual për punë të përbashkët në Parlament mbi axhendën europiane mes shumicës dhe opozitës, Komisioni Europian do të preferonte të inkurajonte rishikimin e punës në Planin e Veprimit për të adresuar të 12 prioritetet kryesore. Në lidhje me këtë do të jetë e rëndësishme që Ministria e Integrimit dhe Komisioni Parlamentar për Integrimin të rishikojnë dhe rifreskojnë Planin e Veprimit, i cili duhet të marrë miratimin e Komisionit Parlamentar”.
Propozimi i KE
Drejtori i Zgjerimit në letrën e tij ka bërë edhe dy propozime konkrete për rishikimin e Planit të Veprimit, varianti i parë i të cilit u paraqit më 10 qershor. Fillimisht, Sanino thekson se pala shqiptare mund t’i raportojë Komisionit në një hark kohor çdo tre muaj për të parë se cili do të jetë progresi real në këtë drejtim. “Në lidhje me këtë dhe për të planifikuar më tej bashkëpunimin tonë dhe shkëmbimin e informacionit mbi procesin e Planit të Veprimit, Komisioni Europian do të mirëpriste marrjen e raporteve periodike të zbatimit të Planit të Veprimit, (në periudha tremujore) që të jetë në gjendje të shohë progresin e bërë në lidhje me 12 prioritetet kryesore”, thekson Sanino. Në të njëjtën kohë, ai shprehet i gatshëm në emër të Komisionit të ndihmojë qeverinë dhe opozitën në Tiranë për të zbatuar reformat në fushat kryesore, të cilat janë pjesë e Planit të Veprimit. “Për më tepër, ne do të dëshironim të lehtësonim diskutimet teknike me disa prej sfidave më akute në këtë kontekst. Nëse kjo është e pranueshme për palën shqiptare, atëherë shërbimet e Komisionit janë gati të propozojnë organizimin e takimeve apo seminareve teknike gjatë muajve të ardhshëm për të diskutuar qëllimin dhe zbatimin e reformave në disa prej fushave më kërkuese nën prioritetet kryesore”, përfundon letra e Drejtorit të Përgjithshëm të Zgjerimit, që mban datën 28 nëntor 2011.

Letra e plotë e Saninos
Po ju shkruaj pas marrjes së 12 prioriteteve kryesore të Opinionit të Komisionit dhe vizitës sime në Shqipëri në 20-21 tetor, kur mora pjesë në një takim të Komisionit Parlamentar për Integrimin Europian.
Progresi i raportit i këtij viti për Shqipërinë thekson punën e mirë të ndërmarrë në përgatitjen e një Plani Veprimi për të adresuar prioritetet kryesore të identifikuara në Opinionin 2010 mbi aplikimin për anëtarësimin e vendit tuaj. Raporti bën me dije progresin në disa prej fushave kryesore, prioritare, por ai thekson gjithashtu nevojën për përpjekje të mëtejshme, për të përmbushur me sukses të gjitha prioritetet kryesore, përfshirë ato ku është i nevojshëm konsensusi ndërmjet shumicës qeverisëse dhe opozitës.
Sa i përket sfidave të identifikuara në Progres-Raport dhe duke marrë parasysh momentumin e ri aktual për punë të përbashkët në Parlament mbi axhendën europiane mes shumicës dhe opozitës, Komisioni Europian do të preferonte të inkurajonte rishikimin e punës në Planin e Veprimit për të adresuar të 12 prioritetet kryesore. Në lidhje me këtë, do të jetë e rëndësishme që Ministria e Integrimit dhe Komisioni Parlamentar për Integrimin, të rishikojnë dhe rifreskojnë Planin e Veprimit, i cili duhet të marrë miratimin e Komisionit Parlamentar.
Një rishikim, një rifreskim dhe një finalizim i Planit të Veprimit mund të ndihmojë dhe të sigurojë që Shqipëria të ketë një program të fortë mirëkuptimi mbi masat që duhet të zbatohen në periudhën e ardhshme. Për t’ju ndihmuar ju mbi këtë punë, unë kam bashkëngjitur një listë komentesh dhe sugjerimesh nga shërbimet e Komisionit mbi draftin e Planit të Veprimit, i cili ishte paraqitur më 10 qershor 2011.
Në lidhje me këtë dhe për të planifikuar më tej bashkëpunimin tonë dhe shkëmbimin e informacionit mbi procesin e Planit të Veprimit, Komisioni Europian do të mirëpriste marrjen e raporteve periodike të zbatimit të Planit të Veprimit, (në periudha tremujore), që të jetë në gjendje të shohë progresin e bërë në lidhje me 12 prioritetet kryesore.
Për më tepër, ne do të dëshironim të lehtësonim diskutimet teknike me disa prej sfidave më akute në këtë kontekst. Nëse kjo është e pranueshme për palën shqiptare, atëherë shërbimet e Komisionit janë gati të propozojnë organizimin e takimeve apo seminareve teknike gjatë muajve të ardhshëm për të diskutuar qëllimin dhe zbatimin e reformave në disa prej fushave më kërkuese nën prioritetet kryesore.

Kukan: “Kthimi i dekreteve, shenjë demokracie”
Kryetari i Delegacionit të Parlamentit Europian për Ballkanin Perëndimor, Eduard Kukan, shprehet se rrëzimi i dekreteve të Presidentit nga Parlamenti është shenjë demokracie. Duke iu referuar votimit të fundit në Kuvend, kur maxhoranca hodhi poshtë propozimin e Topit për të emëruar Sali Shehun në postin e kryetarit të KLSH-së, Kukan tha në një prononcim për “AS” se “në vendin tim, Parlamenti refuzon shpesh kandidaturat e ofruara prej Presidentit, por kjo nuk do të thotë që mungon demokracia. Është mirë që partitë politike të paktën e nisën bashkëpunimin në Parlament, por ky bashkëpunim s’duhet të mbetet vetëm brenda mureve të këtij institucioni, por dhe jashtë tij, me institucionet e tjera. Ne presim bashkëpunim në të gjithë sektorët”.

© Panorama.al

Te lidhura