KE: Gërdeci, drejtësia ta hetojë sa më shpejt

Mar 18, 2011 | 9:33

Komisioni Europian bën sërish thirrje për hetim sa më shpejt të tragjedisë së Gërdecit. E pyetur nga “Top Channel” në Bruksel, Natasha Butler, zëdhënësja e komisionerit për Zgjerimin, Shtefan Fyle, tha se Gjyqësori duhet të luajë rolin e tij në këtë proces. “Përsa i takon rastit të Gërdecit, dimë që procesi vijon, megjithëse kemi kuptuar se ai nuk ka vijuar pa pengesa, siç pritej. Ndaj ne konsiderojmë se është e rëndësishme që të gjitha institucionet, e në veçanti Gjyqësori, do të luajnë rolin e tyre dhe do të kontribuojnë si për hetimin, ashtu dhe mbi procesin ligjor, sipas kompetencave të tyre sa më shpejt”, tha Butler gjatë komunikimit me mediat. Në të njëjtën kohë ajo theksoi se lufta kundër korrupsionit është një nga pikat më thelbësore dhe pjesë e kritereve të Kopenhagës që duhet të plotësohen nga Shqipëria. “Është kyçe që të gjitha aktet (veprimet) dhe të gjithë personat e përfshirë në këtë ngjarje të hetohen dhe një vendim ligjor të zbatohet menjëherë më pas. Pra mesazhi ynë ka dy drejtime, siç e kam shprehur shpesh së fundi; së pari, Drejtësia nevojitet të ndjekë kursin e saj, e kjo është shumë e rëndësishme për rastin e Shqipërisë dhe, së dyti, lufta kundër korrupsionit mbetet thelbësore, siç e dini, është pjesë e kritereve të Kopenhagës. Kështu që ne presim Shqipërinë që ta realizojë atë”, është shprehur Butler. Në të njëjtën kohë, zëdhënësja e komisionerit Fyle foli edhe për djegien e banesave të disa banorëve të komunitetit rom, për të cilët tha se “ne presim që autoritetet shqiptare të kryejnë një hetim të plotë për këtë incident, në respekt të zbatimit të ligjit, duke çuar në ndjekje penale e dënim më pas të personave që do të gjykohen fajtorë”.

© Panorama.al

Te lidhura