Kavajë, prona e zhvendosur do shitej

Jan 13, 2012 | 12:41

Bregdeti i Spillesë në Kavajë

Arrestimi i zyrtarëve të pronave, quajtën arë tokën ranore te deti.

Rreth 48 dynymë tokë ranore në bregdetin e Kavajës në Spille do të shiteshin nëse Pro-kuroria e Tiranës nuk do të ndërhynte me anë të një urdhri për sekuestrimin e pronës së kthyer në mënyrë të paligjshme te familja Jenisheri. Ish-drejtori i Agjencisë së Pronave të Tiranës, Bledar Dervishaj, së bashku me katër persona të tjerë u arrestuan tri ditë më parë për këtë skandal, gjatë aksionit të koduar me emrin “Pronë e spostuar”. Burime nga Prokuroria thanë dje se menjëherë pas kthimit të pronës te familja Jenisheri, kishin nisur tratativat për shitjen e kësaj toke në bregdet. Trualli do të shitej nëse prokuroria nuk do të kërkonte në gjykatë sekuestrimin e saj njëherësh me ngritjen e akuzës për falsifikim ndaj zyrtarëve të pronave që kanë marrë vendimet me anë të falsifikimit të dokumenteve. Ish-drejtori i Agjencisë së Pronave të Tiranës, Bledar Dervishaj, së bashku me shtetasit Ali Aliaj, jurist i AKKP, Dhimitër Papa, topograf i AKKP, Merita Gjinali, topografe dhe Niazi Ademi, topograf, akuzohen se kanë kryer në mënyrë të paligjshme procedurën e kthimit të 43 dynymëve dhe njohjes së 5 dynymëve tokë në plazhin e Kavajës. Sipas Prokurorisë, abuzimi ka ndodhur me zhvendosjen e pronës, pasi familjes Jenisheri i takonte kthimi i tokës në arë, pra sipërfaqe toke me bimësi, por, në fakt, kjo familje ka përfituar dukshëm, pasi sipërfaqja e tokës së kthyer ka qenë e gjitha ranore. “Nga hetimet ka dalë se para vendimmarrjes, ish-drejtori i Agjencisë së Tiranës, Bledar Dervishaj, ka pasur shkresa zyrtare nga Hipoteka se toka që do të kthente nuk ishte ekuivalente me pronën që i takonte familjes Jenisheri”, thanë burimet nga hetimi. Sipas tyre, Hipoteka i ka thënë qartë me shkresa Devishajt, se trualli që kishte planifikuar t’i kthente familjes Jenisheri ishte tokë ranore, pra plazh, ndërkohë që familja pronare ka pasur tokë arë. Hetimet e prokurorisë kanë gjetur se përkundër shkresës së Hipotekës, që thoshte se toka që po kthehej ishte plazh, ish-drejtori i Agjencisë së Pronave të Tiranës ka përdorur një procesverbal të thjeshtë dhe pa shumë radhë shkrimi në të, ku thuhej se toka ishte verifikuar dhe ishte arë e njëjtë me atë që i takonte familjes Jenisheri. Ky klasifikim ishte bërë vetëm se në cepin e sipërfaqes së kësaj prone, në vetëm disa metra katror ndodheshin disa barishte dhe bimë, ndërsa mbi 95 për qind e sipërfaqes ishte plazh. Pikërisht në këtë mënyrë ka ndodhur “zhvendosja” e pronës, pasi sipas Prokurorisë, me ligj, trashëgimtarëve të familjes Jenisheri u takonte kthimi i sipërfaqeve të tokës larg bregdetit, dhe jo në një zonë ku e gjithë sipërfaqja kufizohet në 3 kilometra vijë detare me detin dhe është tërësisht ranore.

Të arrestuar
1. Bledar Dervishaj, 35 vjeç, ish-drejtor i Zyrës Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë.

2. Ali Aliaj, 50 vjeç, ish-përgjegjës juridik i Zyrës Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë.

3. Dhimitër Papa, 49 vjeç, ish-topograf në Zyrën Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë.

4. Merita Gjinali, 49 vjeçe, ish-topografe në Zyrën Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë.

Akuza: “Shpërdorimi i detyrës dhe falsifikimi i dokumenteve nga personi që e ka për detyrë”.

5. Niazi Ademi, 48 vjeç, topograf i licencuar, i akuzuar për veprën penale “falsifikim i dokumenteve dhe ekspertim i rremë”.

TRAZHGIM SOKOLAJ

© Panorama.al

Te lidhura