Kavajë, kapet drogë Lazarati

May 27, 2011 | 10:48

Një operacion i forcave speciale të Policisë së Shtetit parandaloi dje trafikimin drejt Italisë të një sasie prej 26.5 kilogramësh bimë narkotike e kultivuar në Lazarat.Gjatë aksionit të zhvilluar në Kavajë policia njoftoi se përfunduan në pranga gjashtë persona, anëtarë të rrjetit të trafikut, katër persona nga Gjirokastra, një djalë nga Kavaja, si dhe një grua 48-vjeçare, së cilës iu sekuestrua edhe një pistoletë me silenciator. Grupi që kryente transportin dhe do të menaxhonte trafikimin e hashashit nëpërmjet Portit të Durrësit mbahej në vëzhgim nga forcat e Antidrogës dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda prej disa muajsh, derisa u “godit” në apartamentin ku bëheshin “mbledhjet” për skemën e trafikut. Nga të dhënat e siguruara nga grupi hetimor ishte zbuluar se sigurimi i bimës narkotike dhe transporti kryhej nga 4 gjirokastritët. Takimi dhe dorëzimi i pakos bëhej në Kavajë e më pas trafikimi jashtë Shqipërisë do të realizohej nga 48-vjeçarja Refie Iliazi.
OPERACIONI
Pasi siguruan të gjitha informacionet e nevojshme, forcat e policisë rrethuan apartamentin e Ilirjan Feçit, në Lagjen Nr. 2 të Kavajës, ku personat e implikuar ishin mbledhur duke diskutuar planin se si do të trafikohej ngarkesa me kanabis. Ndërsa pjesa tjetër e skuadrës operacionale nisi kontrollin e dy automjeteve, “Audi A3” dhe “BMW”, të parkuara poshtë pallatit ku po kryhej operacioni antidrogë. Burime nga Policia sqaruan se gjatë kontrollit të banesës në pronësi të njërit prej të arrestuarve, 36-vjeçarit Feçi, u gjet sasia prej 26.5 kilogramësh Cannabis sativa, që ishte transportuar gjatë natës nga Lazarati në Kavajë. “Gjatë kontrollit të ushtruar nga forcat e policisë në këtë banesë u bë i mundur sekuestrimi i një sasie prej rreth 26.5 kg lëndë narkotike marijuanë, e cila kishte ardhur nga Lazarati me destinacion shitjen e saj në tregun ndërkombëtar”, thuhet zyrtarisht në njoftimin e Policisë së Shtetit.
ARRESTIMI
Hetimi disamujor i Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda përfundoi dje me sekuestrimin e 26.5 kg Cannabis sativa dhe arrestimin e gjashtë personave. Sipas burimeve zyrtare nga policia, u arrestuan: Ilirjan Feçi, 36 vjeç, nga Kavaja, Albert Mahmutaj, 18 vjeç, Gëzim Vasi, 21 vjeç, Lorenc Vasi, 18 vjeç, 16-vjeçari S. H., të katërt nga Gjirokastra, si dhe 48-vjeçarja Refie Iliazi, nga Durrësi. Sipas policisë, gruaja, së cilës iu gjet edhe një pistoletë me silenciatior në apartamentin e saj në Durrës, ishte ajo që do të kryente trafikun drejt Italisë. Për gjashtë personat e arrestuar rëndon akuza e “trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike”, ndërsa veç kësaj akuze, Refie Iliazi akuzohet edhe për “armëmbajtje pa leje”.

TE ARRESTUAR

1. Ilirjan Feçi, 36 vjeç, nga Kavaja
2. Albert Mahmutaj, 18 vjeç, nga Gjirokastra
3. Gëzim Vasi, 21 vjeç, nga Gjirokastra
4. Lorenc Vasi, 18 vjeç, nga Gjirokastra
5. S. H., 16 vjeç, nga Gjirokastra
6. Refie Iliazi, 48 vjeçe, nga Durrësi

SEKUESTRUAR

26.5 kg Cannabis sativa
Dy automjete, “Audi A3” dhe “BMW”
Një pistoletë me silenciator

I dënuari për vrasje kapet me hashash e heroinë

TIRANE – Dy persona u arrestuan dje nga Policia e Tiranës me një sasi droge dhe municioni. Njëri nga të arrestuarit, Bledar Mneri, është person me precedentë të mëparshëm penalë, i dënuar në vitin 1998 me 11 vjet burg për “vrasje me dashje”, për hakmarrje. Ai rezulton të ketë kryer vrasje në moshën 17-vjeçare dhe pasi ka përfunduar vuajtjen e dënimit, ka rifituar lirinë në vitin 2008. Burime zyrtare nga Policia thanë se oficerët e seksionit kundër narkotikeve bënë të mundur kapjen dhe më pas arrestimin në flagrancë të Bledar Muharrem Mnerit, 30 vjeç, i dënuar më parë për vrasje, si dhe Ervin Luan Korrës, 26 vjeç. Policia tha se këta dy persona janë arrestuar në kuadër të procedimit penal nr. 736 të këtij viti, të nisur nga Antidroga dhe Prokuroria e Tiranës. Burimet sqaruan se Mneri dhe Korra u kapën në afërsi të rrugës “Ali Demi” në Tiranë, me një sasi prej 12 fishekësh të kalibrit 7.62 mm, 5 gramë bimë e dyshuar narkotike Cannabis sativa, si dhe 8 gramë lëndë narkotike e dyshuar heroinë. Sipas Policisë, arrestimi i Bledar Mnerit dhe Ervin Korrës ka ardhur si rezultat i procedimit, ku gjatë këtij viti janë arrestuar edhe disa persona të tjerë, bashkëpunëtorë me njëri-tjetrin, që synonin shitjen e shpërndarjen e lëndëve narkotike në Tiranë.

 

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura