Katërfishimi i gjobave të makinave, Majko: Jemi në krizë, të rriten vetëm dy herë

Nov 24, 2011 | 8:33

Dje gjate mbledhjes se Komisionit te Ligjeve ne Parlament

Deputetët e opozitës japin propozimet e tyre te Ligjet për ndryshimet në Kodin Rrugor .

Majko: Jemi në krizë ekonomike, katërfishimi, i tepruar”.

Partia Socialiste del kundër propozimit të qeverisë për katërfishimin e gjobave për drejtuesit e automjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor. Në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Ligjeve, deputeti Pandeli Majko propozoi që masa e gjobave të dyfishohet, edhe për shkak të faktit se jemi një vend në krizë ekonomike. “Ne flasim për detyrat e qytetarit karshi shtetit, por shtetin ligjor nuk e kemi në atë nivel që të kërkojmë katërfishimin e gjobës. Unë nuk dua të them që të gjithë policët janë si “Braushi” i Portokallisë. Problemi është që ne kemi një polici që vendos gjoba jo gjithmonë korrekte. Ky është një ligj që kërkon edhe votat e opozitës. Të shtosh në këtë kohë 400 për qind edhe në krizë, është paksa problematike. Në shtetin ligjor ne jetojmë të gjithë bashkë. Prandaj do t’u thosha që të shkojmë drejt dyfishimit, katërfishimi është shumë i tepruar”, u shpreh Majko në fjalën e tij. Ndërsa drejtori i sigurisë rrugore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, Shkëlzen Aliaj, tha se rritja me katërfish e gjobave është një propozim i ekspertëve të huaj. “Raporti i ekspertëve të huaj, atyre suedezë, thotë që duhet të ketë gjoba më të larta për kundërvajtjet më të rënda. Duke marrë shkas nga përvoja europiane, është marrë Spanja pas revolucionit infrastrukturor në kohën e Aznarit. Është ndërhyrë shtatë herë në Kodin Rrugor. Është marrë Kroacia dhe Bosnja”, tha Aliaj. Në mbledhjen e djeshme, Komisioni i Ligjeve zhvilloi seanca dëgjimore me disa përfaqësues të shoqatave të sigurisë rrugore, të cilët mbështetën propozimin e Partisë Socialiste për dyfishimin e gjobave. “Duke e konsideruar edhe nivelin e organeve të policisë, performanca e këtij shërbimi vazhdon të mos jetë në nivele të mira. Ne mendojmë se nuk jemi që atë status t’ia japim policit rrugor në përcaktimin e gjobave nga 25 mijë në 80 mijë. Mendojmë se sanksionet të jenë dyfishi i sanksionit minimal dhe maksimal, që është një masë e arsyeshme për drejtuesit e mjeteve”, tha Berti Koxhaj, Qendra për studime të sigurisë rrugore. Në përfundim të seancave dëgjimore, Komisioni i Ligjeve miratoi në parim draftin duke vendosur që të vazhdojë sot me diskutimin nen për nen, ku pritet të reflektohen edhe propozimet e bëra nga grupet e interesit.
Veprimtaria Prodhuese
Nismat e qeverisë për ndryshimin e Kodit Rrugor u diskutuan dje edhe në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, ku morën pjesë disa shoqata që dhanë mendimet e tyre për masat e propozuara. Në këtë komision, deputeti i Partisë Socialiste, Eduard Shalsi, i kërkoi maxhorancës që të shtyjë datën e miratimit në Parlament të këtij ligji, për shkak të propozimeve të shumta që kanë ardhur për ndryshimin e neneve. Sipas marrëveshjes mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, ishte planifikuar që ligji që kërkon shumicë të cilësuar, të miratohet në Parlament më 1 dhjetor. Për këtë qëllim, si Komisioni i Veprimtarive Prodhuese, ashtu edhe ai i Ligjeve, kanë vendosur të zhvillojnë sot diskutimin nen për nen të Kodit, me qëllim që të jetë gati për të enjten e ardhshme. Në diskutimin e djeshëm, Ministria e Brendshme ka paraqitur edhe një propozim tjetër që ka të bëjë me sanksionet për drejtuesit e mjeteve që janë në gjendje të dehur. Në nenin 184, pika 2 e Kodit, sipas variantit të ri thuhet se “Cilido që drejton mjetin pas përdorimit të pijeve alkoolike, në rastet kur nuk përbën vepër penale, dënohet me gjobë nga dy mijë e pesëqind deri në dhjetë mijë lekë. Cilido që drejton mjetin dhe pas provës rezulton i dehur, dënohet me burg nga 1-6 muaj”. Gjithashtu është propozuar që të gjitha gjobat të cilat nuk mblidhen për një periudhë 2-vjeçare, të fshihen.

4 herë
Sipas propozimit të Ministrisë së Brendshme që është miratuar në Këshillin e Ministrave në korrik të vitit të kaluar, drejtuesit e automjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor do të penalizohen me një gjobë katërfish
më të lartë se ajo aktualja.

2 herë
Në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Ligjeve, deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, propozoi që sanksionet për drejtuesit e automjeteve të mos jenë katërfish më të mëdha se ato aktualet, por të dyfishuara. Propozimet do të diskutohen në mbledhjen e sotme.

Tejkalimi i shpejtësisë
Sipas Kodit Rrugor, cilido që kalon kufijtë maksimalë të shpejtësisë me jo më shumë se 10 km/orë, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga dy mijë deri në tetë mijë lekë. Me variantin e vjetër, gjoba ishte nga 500 deri në 2 mijë lekë. Cilido që tejkalon kufijtë e shpejtësisë me më shumë se 10 km/orë dhe jo me më shumë se 20 km/orë, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga katër mijë deri në gjashtëmbëdhjetë mijë lekë. Në ligjin e vitit 1998 ishte nga 1 mijë deri në 4 mijë lekë.

Përparësia në kryqëzim
Në propozimet e ardhura nga Këshilli i Ministrave thuhet se “Cilido që shkel dispozitat e nenit të përparësisë në kryqëzime, ndëshkohet me gjobë nga dy mijë deri në tetë mijë lekë”. Gjoba sipas variantit të vjetër ishte 500 deri në 2 mijë lekë. Cilido që nuk sillet në mënyrën e treguar nga sinjalizimi rrugor ose sipas normave përkatëse të akteve në zbatim, si dhe sipas orientimit të policit të trafikut, ndëshkohet me gjobë nga dy mijë deri në tetë mijë lekë. Me variantin e vitit 1998 ishte nga 500 deri në dy mijë lekë.

Debatet në Komision
Ermonela Felaj: Sipas shifrave që dhatë ju për numrin e gjobave të vendosura dhe arkëtimeve, rezulton se ju keni mbledhur gjoba në 793 raste. Ky rezultat mua më duket shumë i dobët. Për 1500 aksidente, ju arrini të mblidhni vetëm gjysmën e gjobave. Kjo e dhënë mua më bën të mendoj se po abuzoni me çështjen e katërfishimit të gjobave. Edhe me gjoba më minimale nuk keni arritur t’i mblidhni gjobat.
Shkëlzen Aliaj: Raporti i ekspertëve të huaj, atyre suedezë, thotë që duhet të ketë gjoba më të larta për kundërvajtjet më të rënda. Duke marrë shkas nga përvoja europiane, është marrë Spanja pas revolucionit infrastrukturor në kohën e Aznarit. Është ndërhyrë shtatë herë në Kodin Rrugor. Është marrë Kroacia dhe Bosnja.
Edi Paloka: Po Zapatero nuk ka bërë asgjë?
Bashkim Fino: Kësaj i thonë po ndërhyjmë në Kodin Zgjedhor pas revolucionit të Saliut.
Qamil Sadikaj (përfaqësues i Policisë): Si 10-mujor kemi arkëtuar si vlerë 87% të gjobave, ndërsa në numër gjobash janë 62%.
Pandeli Majko: Në parim jam shumë dakord me atë që thonë specialistët. Ne mund të dimë që t’i japim paksa makinës, por specialistë nuk jemi. Ajo që kam unë shqetësim drejtor, është që ju me të drejtë vini dhe thoni që duhen katërfishuar gjobat. Por më mirëkuptoni, kur them që jo të gjithë specialistët janë si ju, si specialistë. Ne flasim për detyrat e qytetarit karshi shtetit, por shtetin ligjor nuk e kemi në atë nivel që të kërkojmë katërfishimin e gjobës. Unë nuk dua të them që të gjithë policët janë si “Braushi” i Portokallisë. Problemi është që ne kemi një polici që vendos gjoba jo gjithmonë korrekte. Ky është një ligj që kërkon edhe votat e opozitës. Të shtosh në këtë kohë 400 për qind edhe në krizë, është paksa problematike. Në shtetin ligjor ne jetojmë të gjithë bashkë. Prandaj do t’u thosha që të shkojmë drejt dyfishimit, katërfishimi është shumë i tepruar.
Berti Koxhaj (Qendra për studime të sigurisë rrugore): Në ndryshimet që janë propozuar, është parashikuar rritje në katërfishin e gjobave. Duke e konsideruar edhe nivelin e organeve të policisë, peformanca e këtij shërbimi vazhdon të mos jetë në nivele të mira. Ne mendojmë se nuk jemi që atë status t’ia japim policit rrugor në përcaktimin e gjobave nga 25 mijë në 80 mijë. Mendojmë që sanksionet të jenë dyfishi i sanksionit minimal dhe maksimal, që është një masë e arsyeshme për drejtuesit e mjeteve.

Rastet e aksidenteve
Në nenin 187, pika 6 e Kodit Rrugor, parashikohet një ndryshim sipas të cilit “Për cilindo që në kushtet e treguara në pikën 1 nuk zbaton detyrimin e ndalimit në rast aksidenti, vetëm me dëme materiale, zbatohet masa administrative me gjobë nga katër mijë deri në 16 mijë lekë dhe me pezullimin e lejedrejtimit nga gjashtë deri në 12 muaj”. Ndërsa në pikën 10 thuhet se “Cilido që nuk zbaton dispozitat e pikave 2, 4 dhe 5, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga katër mijë deri në 16 mijë lekë”. Në të njëjtën kohë, në fund të këtyre ndryshimeve është propozuar që gjobat që nuk arkëtohen 2 vjet nga vendosja e tyre, do të fshihen.

Seanca: Sot, votimi i Kodit Ajror
Parlamenti do të diskutojë sot ligjin e tretë me shumicë të cilësuar, që pas arritjes së paktit mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Në rendin e ditës është vendosur të miratohet Kodi Ajror, i cili është kaluar me konsensus në komisionet parlamentare. Në mbledhjen e sotme fillimisht do të diskutohen disa ndryshime në ligjin “’Për sektorin e energjisë elektrike’ të ndryshuar” dhe më pas ndryshimet në ligjin “’Për trajtimin si titull ekzekutiv të faturës së konsumit të energjisë elektrike’ të ndryshuar”. Në fund janë parashikuar edhe dy interpelanca me ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto, të kërkuara nga deputetja e PS-së, Arta Dade dhe me ministrin e Ekonomisë, Nasip Naço, të kërkuar nga Eduard Shalsi.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura