Karburantet, taksa e re pasqyrohet në çmim

Jan 5, 2012 | 12:26

Viti 2012 ka nisur më shtrenjtë për të gjithë ata që kanë në pronësi një automjet. Për çdo litër karburant tashmë do të duhet të paguhen 7 lekë, dhe jo 5 lekë, sikurse ishte deri në fund të vitit të kaluar, si taksë qarkullimi. Përfshirë TVSH-në, taksa e re e qarkullimit për mjetet shkon 8.4 lekë për çdo litër karburant të harxhuar. Por, çmimet që sheh sot nëpër karburante nuk reflektojnë rritjen me 2.4 lekë të bërë automatikisht më 1 janar, por një rritje që varion nga 3-6 lekë më shumë. Kjo rritje korrespondon në fakt në një kohë ku në bursa ka filluar presioni i çmimeve për shkak të dy arsyeve kryesore. E para, dollari ka fituar pikë karshi lekut, çka i detyron importuesit të blejnë më shtrenjtë jashtë, ndërkohë që çmimet janë rritur edhe për shkak të ngjarjeve të fundit mes SHBA-ve dhe Iranit. Dje, në Bursën e Londrës, ku referohen edhe importuesit shqiptarë për të blerë naftë, një fuçi u shit me 113 lekë maksimalja, duke shënuar brenda ditës rritje me gati një dollar. Kjo erdhi si rezultat i rritjes së kërkesës, ndërkohë që në Bursën e Nju Jorkut, një fuçi naftë arriti 101 dollarë, e shkaktuar nga tensioni mes SHBA-ve dhe Iranit, si pasojë e deklaratave të bëra së fundi. Ekspertët parashikojnë një rritje të mëtejshme të karburanteve nëse nuk do të ketë ulje të tensionit dhe viti 2012 mund të ketë të njëjtin fat sikurse ai 2011, kur disa nga vendet me pasuritë më të mëdha të naftës u përfshinë në revolta, siç ishin Egjipti, Libia, Jordania.

101 dollare
u shit dje një fuçi naftë në Bursën e Nju Jorkut. Rritja e çmimit nga ekspertët shpjegohet si efekt i rritjes së tensioneve mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit nga deklaratat e fundit të bëra publike.

113 dollare
u shit dje një fuçi naftë në Bursën e Londrës, një bursë së cilës i referohen edhe importuesit shqiptarë të karburanteve për blerjet e tyre. Kjo rritje e çmimit, sipas ekspertëve, ka ardhur nga rritja e kërkesës.

© Panorama.al

Te lidhura