JANINE – Rreth 111 kg marijuanë u sekuestrua pasditen e djeshme në thellësi të territorit grek, në përpjekje për t’u trafikuar në Athinë. Burimet policore të Janinës, bënë të ditur se është arrestuar një 24-vjeçare shqiptare, e cila ishte drejtuese e automjetit që transportonte lëndën narkotike, ndërkohë që dy të tjerë janë në kërkim. E gjithë sasia e marijuanës është kapur në 3 km thellësi të vijës kufitare, në aksin nacional Kefalovris-Janinë, ku automjeti i drejtuar nga 24-vjeçarja me inicialet S.C., që dyshohet si banuese në Gjirokastër, ishte vënë në ndjekje nga policia. Këta të fundit kishin marrë informacion përmes kanaleve të sigurisë, nga Sektori i Luftës Kundër Narkotikeve në Policinë e Gjirokastrës për ekzistencën e qarkullimit të një sasie të konsiderueshme marijuane nga Lazarati, në drejtim të Greqisë. Policia e Gjirokastrës kishte rënë më parë në gjurmë të anëtarëve të “Bandës së kokrruarve”, por lejuan vazhdimin e operacionit trafikues në drejtim të Greqisë, me qëllim identifikimin e anëtarëve të tjerë të këtij grupi trafikantësh, të cilët, sipas Policisë greke, janë të identifikuar të gjithë. Policia i ka quajtur “Banda e kokërruarve”, duke qene se të gjithë anëtarët e këtij rrjeti janë me kokë të qethur shumë shkurt. Mësohet se mjeti ka marrë sasinë e marijuanës përmes kufirit të gjelbër me Shqipërinë dhe më pas ka udhëtuar drejt Jugut. Në automjet udhëtonte e vetme 24-vjeçarja. Kontrolli i kryer zbuloi katër çanta me 101 pako të mbushura me marijuanë të presuar me sasi totale 111 kg. Sipas Policisë së Janinës, e arrestuara është pjesë e bandës, ku më 28 maj të këtij viti trafikoi 107 kg marjuanë, sasi e kapur në kufirin mes Gjirokastrës dhe Janinës, si dhe e trafikimit të 112 kg marijuanë e kultivuar në Lazarat, që u kap po në afërsi të Janinës më 23 maj të po këtij viti. Gjatë këtij operacioni u kap një 27-vjeçar shqiptar nga Fieri, Selim T. Policia e Janinës është vënë në kërkim të dy anëtarëve të tjerë të trafikut, të cilët vlerësohen si mjaft të rrezikshëm pasi janë të pajisur me armë neuroparalizuese dhe armë zjarri. p.n











