Kapet Mlladiç, Serbia drejt BE-së

May 27, 2011 | 10:25
Ratko Mlladiç i shoqëruar nga policia serbe

I fundit i treshes më të rëndësishme të krimeve të luftës në Ballkan (Millosheviç-Karaxhiç- Mlladiç) u arrestua dje në mëngjes nga forcat serbe të sigurisë.Mlladiç u kap në veri të Vojvodinës, në fshatin Lazarevo, rreth 80 km larg Beogradit, në shtëpinë e një kushëririt të tij, e cila ishte e survejuar për dy javë. Lajmin e dha në një konferencë të jashtëzakonshme Presidenti serb, Boris Tadiç, pak para vizitës së shefes europiane të diplomacisë, Katerin Ashton. Ai tha se Serbia tani nuk është më e njollosur dhe se duhet ta ketë të hapur derën e BE-së. “Një periudhë e vështirë ka përfunduar dhe reputacioni i Serbisë nuk është më i njollosur”, u shpreh Tadiç. Kapja e Ratko Mlladiç, truri i operacioneve ushtarake të shkatërrimit të Bosnjës, mbyll më shumë se një dekadë me turpërim për shumë palë në Ballkan dhe përtej. Demokracia në Serbinë e post-Millosheviçit mbeti e damkosur dhe e izoluar, për sa kohë që strukturat ushtarake e të sigurisë, si dhe gangsterët, e strehuan gjeneralin. Kombet e Bashkuara, Aleanca e NATO-s, shteti holandez, Republika franceze dhe shërbimet më të mëdha të spiunazhit në botë ishin të njollosura të gjitha nga dështimi për një kohë të gjatë ose ngurrimi për kapjen e njeriut që thuhet të jetë vrasësi në masë më famëkeq në Europë. Për prokurorët dhe hetuesit në Hagë, marrja më në fund e Mlladiçit në bankën e të akuzuarve do të përfaqësojë kulmin në 16 vitet e përbuzjes dhe mundit në mesin e varrezave masive, paraqitjet në kabinetet e qeverisë, video-arkivat dhe pyetjet e dëshmitarëve në Ballkan. Një zyrtar i lartë i OKB-së, i cili kishte kaluar shumë orë duke negociuar me Mlladiçin nga ditët e para në Knin, e karakterizoi atë si “një psikopat, shumë inteligjent dhe thellësisht i dhunshëm”. Shefja e politikës së jashtme në BE, Baronesha Ashton, pasi përgëzoi Serbinë, tha se Mlladiç mund të transferohet në Hagë brenda nëntë apo dhjetë ditëve
Aksioni
Aksioni u krye në orët e para të mëngjesit të së enjtes nga forcat e BIA-s, Agjencia e Informacionit të Sigurisë në Serbi. Sipas gazetës së Zagrebit “Jutarnji List”, Mlladiç jetonte nën pseudonimin e Milorad Komadiç. Operacioni sekret për arrestimin e tij erdhi pas një informacioni që Komadiç “zotëronte disa shenja të identifikimit të Ratko Mlladiç dhe ishte fizikisht shumë i ngjashëm me të”. Më pas, analizat e ADN-së e konfirmuan këtë. Fshatarët janë shprehur për AP se arrestimi i Mlladiçit ishte i qetë dhe i butë. “Ata as nuk na zgjuan nga gjumi”, tha një prej banorëve. Një polic serb ka thënë për “Reuters” se “Mlladiç u prangos dhe ishte bashkëpunues gjatë arrestimit, ai dukej shumë më i moshuar dhe i mbaruar. Zor se mund të njihej”. Rasim Ljajiç, ministër dhe bashkëpunëtor i Gjykatës së Hagës, tha për televizionin shtetëror serb se Mlladiç dukej si plak kur ishte arrestuar. “Ishte i zbehtë, që tregon se ai rrallë ka dalë nga shtëpia. Mund të kalonte afër dhe të mos e njihje. Komunikoi normalisht me anëtarët e shërbimit të sigurisë”, tha ai. Ljaliç shtoi se ai kishte dy pistoleta në shtëpi, në kohën kur u arrestua. Ndërkohë, Agjencia B92 e Beogradit ka raportuar se krahët e Mlladiçit ishin të paralizuara, si rezultat i një infarkti.
Reagime
Presidentja e shoqatës së nënave të Srebrenicës, Hajra Çatiç, tha se arrestimi i Ratko Mlladiç është një lehtësim për familjet e viktimave. Rreth 150 banorë të Lazarevos, fshatit ku u kap Mlladiç, kanë sulmuar dje reporterët duke bllokuar edhe rrugën që ata të mos i afroheshin shtëpisë ku kishte jetuar “heroi” i tyre.
Familja
Avokati i familjes së Mlladiçit tha se ata janë të lumtur që mësuan se Ratko Mlladiç është gjallë. “Familja po shpreson në një shans për ta parë atë pas shumë vitesh që kanë qenë të ndarë”, tha Milosh Šaljiç. “Ata kanë të drejtë ligjore për ta parë atë përpara se të ekstradohet, gjë që nuk duhet të ndodhë deri javën e ardhshme”, shtoi Saljiç, duke sqaruar se familja besonte se ai kishte vdekur dhe arrestimi i tij ishte një surprizë e madhe.
Cili spiunoi
Identiteti i personit që mund të jetë 10 milionë euro më i pasur, plus 5 milionë dollarë të ofruara nga SHBA, nuk është bërë publik nga autoritetet. Megjithatë, nuk dihet ende nëse do t’i marrin paratë e premtuara. Zv/kryeministri serb, Bozhidar Gjeliç, më parë ka shpjeguar se paratë do të merreshin nga buxheti i shtetit. Kushdo qoftë personi që ka dhënë informacionin i cili çoi në kapjen e Mlladiçit, është mes 7 për qind të serbëve që janë shprehur se në këmbim të aq shumë parave do ta raportonin atë. Një ekspert sigurie në Beograd, Zoran Dragishiç, tha se autoritetet e dinin se ku ishte Mlladiç, vetëm pritën momentin e duhur për ta kapur: “Është vizita e Ashtonit sot, pastaj raporti i Serge Bramertz në qershor nuk kishte kohë më të përshtatshme se kjo, puna duhej mbaruar”.

Mbetet edhe një

Mbetet edhe një i dyshuar i rëndësishëm, i shumëkërkuar nga Haga, Goran Haxhiç, një lider i serbëve të Kroacisë në fillim të viteve ‘90. Por, me arrestimin e tre të mëdhenjve: Sllobodan Milloseviç, Radovan Karaxhiç dhe tani Mlladiç, Beogradi e ka vendosur veten përtej kritikave për çështjet e krimeve të luftës.

akuzat

Akuza 1: gjenocid

Akuza 2: bashkëpunim në gjenocid

Pika 3: përndjekje mbi baza politike, racore dhe fetare

Pika 4: shfarosje

Akuza 5: vrasje

Pika 6: vrasje

Akuza 7: dëbim

Akuza 8: veprime çnjerëzore (transferim i dhunshëm)

Pika 9: terrorizimi i civilëve

Akuza 10: vrasje

Akuza 11: vrasje

Akuza 12: trajtim mizor

Akuza 13: veprime çnjerëzore

Akuza 14: sulm ndaj civilëve

Akuza 15: pengmarrje (200 trupa të OKB-së)

Reagime
Presidenti shqiptar, Bamir Topi, e quajti një lajm të mirë për sigurinë arrestimin e Mlladiçit, ndërsa kryeministri Berisha e cilësoi atë si figurën më të zezë në Ballkan. Barak Obama e ka përshëndetur arrestimin e Mlladiçit si një ditë të rëndësishme për familjet e viktimave të tij. Ministri i jashtëm britanik, Uilliam Hague, e vlerësoi këtë si një moment historik, ndërsa presidenti francez, Nicolas Sarkozi, tha se ky ishte një veprim shumë kurajoz nga presidenca serbe. Ministri i jashtëm suedez, Karl Bildt, tha se shpresat e Serbisë për të hyrë në BE ishin “më të ndritshme se kurrë më parë”. Kryeprokurori i Gjykatës së Hagës, Serge Brammertz, ka përshëndetur arrestimin e ish-komandantit të serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiç. Ban Ki Mun e quajti këtë një ditë historike për Serbinë.

Karaxhiç
Mjeshtri politik i Mlladiçit, Radovan Karaxhiç, i cili që prej vitit 2008 qëndron në paraburgimin e Hagës, ka shprehur keqardhjen e tij për arrestimin e Mlladiçit. Karaxhiç është shprehur nëpërmjet avokatit të tij se “i vjen keq për humbjen e lirisë së gjeneral Mlladiçit”. Avokati amerikan i Karaxhiçit, Peter Robinson, e përcolli mesazhin pak pasi vizitoi klientin e tij në paraburgimin e Hagës, ku së shpejti ai do të jetë me mikun e tij, Mlladiç. Robinson tha se Karaxhiç kishte ndërmend të punonte me Mlladiçin për të nxjerrë të vërtetën për atë që ka ndodhur në Bosnjë”.

Mlladiç, “heroi” i fundit i nacionalistëve serbë

Gjenerali Ratko Mlladiç u bë një nga njerëzit më të kërkuar në botë pas masakrës së Srebrenicës, ku u vranë mbi 8 mijë boshnjakë myslimanë, në qytetin nën protektoratin e Kombeve të Bashkuara. Që në vitin 1995, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka nxjerrë urdhër arresti për të, me 15 akuza. Ratko Mlladiç lindi në Bosnjë, në fshatin Kalinovik, në vitin 1942. Tri vite më pas, babai i tij, një gueril i Luftës së Dytë Botërore, u vra nga forcat kroate pro-naziste, ndërsa udhëhiqte një sulm partizan. Mlladiç u transferua në Jugosllavinë e Titos, ku u bë një oficer i Ushtrisë së Popullit. Në maj 1992, Asambleja serbo-boshnjake votoi për krijimin e ushtrisë serbo-boshnjake, duke caktuar gjeneralin Mlladiç si komandant. Forcat serbe bombarduan Srebrenicën me raketa për pesë ditë, përpara se gjenerali Mlladiç të hynte në qytet i shoqëruar nga një ekip serb me kamera. Ditën tjetër, mbërritën autobusë për të marrë gratë dhe fëmijët që strehoheshin në Srebrenicë në territoret myslimane, ndërsa serbët mbajtën të gjithë meshkujt myslimanë nga mosha 12 deri në 77 për “marrje në pyetje mbi dyshime për krime lufte”. Rreth 8,000 burrat dhe djemtë myslimanë u ekzekutuan. Mlladiç ka jetuar lirshëm në Beograd, duke vizituar vende publike, duke ngrënë në restorante të shtrenjta, madje edhe duke parë në stadium ndeshje ndërkombëtare. Kjo, deri në arrestimin e Millosheviçit (2001). Në prill 2005, ministri i Jashtëm serb, Vuk Drashkoviç, tha se agjentë të Sigurimit serb e dinin shumë mirë se ku ndodhej Mlladiç. Kreu i Shërbimeve Sekrete i përshkroi këto deklarata se “qesharake”. Në qershor 2006 ka pasur raportime se Mlladiç kishte kaluar një infarkt të tretë dhe se kishte pak shanse për të mbijetuar. Mlladiç është i martuar me Bosa Mlladiç dhe dy  fëmijët e tyre janë djali Darko dhe vajza Ana. Ana vdiq në mars të vitit 1994, në një vetëvrasje. Ka pasur raportime konfliktuese për vrasjen e saj. Ratko Mlladiç është parë ta vizitojë rregullisht varrin e së bijës në Beograd. Darko Mlladiç, djali i Ratko Mlladiç, ka një vajzë dhjetëvjeçare. Anastazija është mbesa e parë e Mlladiçit. Ai ka edhe një nip që i ka vënë emrin Stefan, shenjti që ruan Republikën serbe të Bosnjës, Srpska. Në qershor 2010, familja e Ratko Mlladiç kërkoi që ta deklaronte atë të vdekur, duke shkruar se ai kishte qenë në kushte mjaft të vështira shëndetësore dhe nuk e kishin parë prej shtatë vjetësh. Nëse deklarata do të aprovohej, gruaja e Mlladiç do të merrte pension dhe do të mund të shiste pronat e tij. Por kërkesa u refuzua nga autoritetet serbe. Sondazhet nga Komiteti Nacional i Bashkëpunimit me Hagën treguan se 78 për qind e serbëve nuk do ta raportonin Mlladiçin tek autoritetet, ndërsa 40 për qind besojnë se ai është një hero.
Reporterë të kohës së luftës së Bosnjës, që e kanë njohur nga afër Mlladiçin, e përshkruajnë atë si të krisur, shumë të vendosur për vizionin mbi të ardhmen e Serbisë, agresiv, pionier i teknikës së pastrimit etnik, fanatik, por nuk i trembej asgjëje dhe kjo e ka bërë një “hero popullor”, duke e ka ndihmuar të fshihet për 16 vjet. Mlladiç ishte betuar se preferonte të vriste veten në rast të heqjes së lirisë.

© Panorama.al

Te lidhura