Prona e llogari bankare me vlerë 650 mijë euro, të përfituara nga të ardhurat e trafikut të drogës, u sekuestruan dje nga Policia e Prokuroria e Fierit si fitime të veprimtarisë kriminale. Pas një hetimi që ka zgjatur rreth 10 muaj në bashkëpunim me Policinë britanike, është provuar se pronat dhe bizneset e regjistruara në emër të Teferi Hamzarajt, në Cakran të Fierit, ishin krijuar nga paratë që ajo merrte nëpërmjet transfertave bankare nga Anglia, ku djali i saj akuzohet për trafik droge. Veç dërgesave, nëna e të arrestuarit ka marrë shuma të konsiderueshme parash në dorë nga persona të ndryshëm që vinin në vendlindje e që i transportonin shumat me porosi të djalit të saj, Fatos Hamzaraj. Ky i fundit është arrestuar në janar të vitit 2011 në Angli si drejtuesi i një grupi të trafikut të kokainës nga Amerika e Jugut drejt Anglisë. Sipas burimeve nga Policia e Shtetit, Hamzaraj prej 3 vitesh kishte krijuar një organizatë të trafikut ndërkombëtar të drogës, të cilën e drejtonte vetë, ndërsa bashkëpunëtorët e tij ishin shtetas italianë, anglezë dhe kolumbianë. Menjëherë pas arrestimit të tij në Angli, me anë të një letër-porosie të mbërritur nga Britania e Madhe, nisi një hetim i përbashkët që kishte si qëllim parësor verifikimin e të gjitha transfertave bankare. Grupi hetimor kaloi në “sitë” të gjitha transaksionet e kryera gjatë 3 viteve që Fatos Hamzaraj zhvillonte aktivitetin e trafikut të drogës dhe rezultoi që paratë niseshin në emër të nënës së tij, Teferi Hamzaraj dhe të vëllait Arsen Hamzaraj.
PASTRIMI I PARAVE
Për rreth 10 muaj policia ka bërë verifikimin e transfertave bankare dhe ka kryer hetim me metodat speciale derisa në bashkëpunim me Njësinë Task-Force në Prokurori dhe me Policinë angleze është arritur të dokumentohen të gjitha pronat që familja e Fatos Hamzarajt kishte ndërtuar me anë të parave të përfituara nga trafiku i kokainës. Të gjitha bizneset e ndërtuara gjatë 3 viteve kur Hamzaraj drejtonte trafikun e kokainës në Angli dhe që administroheshin nga vëllai i tij Arseni dhe e ëma Teferi Hamzaraj, sipas Policisë, ishin përfituar nga të ardhurat e krimit të organizuar. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Shtetit, gjatë hetimeve ka rezultuar se Fatos Hamzaraj, për një periudhë prej rreth tre vjetësh, të ardhurat e përfituara në mënyrë të paligjshme nga trafiku i lëndëve narkotike i ka transferuar te familjarët e tij në Shqipëri. Gjithçka e ka kryer përmes transfertave bankare dhe kesh, dhe këta të fundit janë mundur t’i justifikojnë si para të ligjshme dhe t’i investojnë në biznese, bar-kafe, karburant, apartamente, palestër etj. Për të justifikuar si “të pastra”, bizneset në pronësi të tyre, familjarët e Hamzarajt kishin siguruar dokumente pronësie në formë trashëgimie, që dyshohet të jenë të falsifikuara. Nga Gjykata e Fierit është vendosur masa e sekuestrimit për pronat dhe llogaritë bankare të tij dhe familjarëve të tij.
Pronat e bllokuara
. Apartament me sipërfaqe 120 metra katrorë në qytetin e Fierit, pronë e shtetases Teferi Hamzaraj
. Një sipërfaqe trualli 782 metra katrorë në komunën Cakran
. Një pikë karburanti në komunën Cakran me sipërfaqe 150 metra katrorë
. Disa garazhe
. Një palestër
. Bar-kafe
. Të gjitha pajisjet e ndodhura në këto aktivitete
Vlera totale e tyre,
rreth 650 mijë euro
Tetë aksione, sekuestrohen 10 milionë euro
Gjatë këtij viti, sektori kundër pastrimit të parave në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me njësitë Task-Force në Tiranë, Elbasan, Vlorë, Fier dhe Durrës, ka kryer tetë operacione në drejtim të sekuestrimit të aseteve kriminale. Në këto operacione, që janë kryer në bashkëpunim edhe me vende të ndryshme të BE dhe Amerikës, është arritur të sekuestrohet një vlerë totale prej rreth 10 milionë eurosh, para që janë investuar në forma të ndryshme nga anëtarë të krimit të organizuar.
ETLEVA DELIA
© Panorama.al











