Arrestohet anëtari i një bande grabitësish që për dy vite radhazi, nga viti 2000 deri në vitin 2002, terrorizoi banorët dhe bizneset e Tiranës, duke grabitur, kërcënuar me armë, e duke lidhur dhe izoluar në bagazhet e makinave dhjetëra persona. Shtatë anëtarët e bandës njiheshin si grupi i grabitësve me uniformë Policie dhe që arritën të zbuloheshin në vitin 2003, pasi kishin realizuar dhjetëra vjedhje banesash, kryesisht tregtarësh, që kishin kursyer para, por edhe biznese të ndryshme përgjatë autostradës Tiranë-Durrës. Policia dhe Prokuroria arritën të sigurojnë prova mjaft të rëndësishme, dëshmi nga persona të dëmtuar, por edhe deklarime nga bashkëpunëtorë të “policëve” grabitës, duke bindur Gjykatën e Tiranës që të dënojë në mungesë pjesën më të madhe të autorëve. Një ndër personat më aktivë, që kishte marrë pjesë thuajse në të gjitha grabitjet, është edhe Albert Grifsha, i cili jetoi gati një dekadë duke iu fshehur Policisë, por falë informacioneve në rrugë operative, u arrit arrestimi i tij, në shtëpinë ku banonte së fundmi, në Zall-Herr të Tiranës. Në vendimin e Gjykatës së Tiranës, emri i Grifshës përmendet në pjesën më të madhe të episodeve të grabitjeve, që ka kryer dhe ideuar. Një nga episodet e zbardhura në vendimin e Gjykatës është edhe grabitja e kasafortës së një mobilierie në Yzberisht. Katër persona, mes të cilëve edhe Albert Grifsha, të veshur me uniformë Policie dhe të armatosur me pistoleta e automatikë, janë futur brenda rrethimit të magazinave të mobilierisë dhe kanë lidhur me natriban dy rojet. Pasi kanë marrë kasafortën që ndodhej në një prej magazinave dhe kanë dalë në rrugë, i kanë bërë shenjë një taksisti që të ndalonte, duke i thënë se kishin nevojë për ndihmën e tij për të transportuar një objekt të sekuestruar. Sapo taksisti ka zbritur që t’i ndihmonte, ata e kanë kërcënuar me armë më pas e kanë lidhur dhe e kanë mbyllur në bagazhin e taksisë së tij. Por, kur kanë pikasur një makinë policie që po i ndiqte, kanë braktisur taksinë, bashkë me shoferin e mbyllur në bagazh dhe kasafortën që kishin vjedhur. Ndërsa kur realizonin grabitjet e banesave, u prezantoheshin familjarëve si policë që do kryenin kontroll për armë zjarri dhe në momentin që futeshin brenda, i lidhnin, në ndonjë rast edhe i dhunonin duke i goditur me tytë pistolete, më pas vidhnin paratë. Aktiviteti nisi më 11 shtator 2000, ndësa është vërtetuar vjedhja me dhunë në banesën e familjes së R. Shaqiri afër Qytetit të Nxënësve në Tiranë. Ajo është kryer prej të pandehurve Leonard Maloku, Albert Grifsha dhe vëllezërit Besnik dhe Lulzim Haxhiu. Ideator, sipas gjykatës, ka qenë Besnik Haxhiu, i cili ka pasur dijeni që i dëmtuari, Rushit Shaqiri, në atë kohë posedonte një shumë prej 5.000.000 (pesë milionë) lekësh. Deri në fund të vitit 2000, të akuzuarit kanë kryer edhe pesë vjedhje të tjera me dhunë.
ETLEVA DELIA











