
“Banda e kokrruarve”, pëson goditjen e parë nga policia greke. Rreth 111 kg marijuanë është kapur mbasditen e së hënës në thellësi të territorit grek, në përpjekje për t’u trafikuar në Athinë. Burimet policore të Janinës kanë konfirmuar se është arrestuar një vajzë 24- vjeçare shqiptare, e cila ishte drejtuese e automjetit që transportonte marijuanën, ndërkohë që dy të tjerë janë në kërkim. E gjithë sasia e marijuanës është kapur në 3 km thellësi të territorit grek në aksin nacional Kefalovris-Janinë ku automjeti i drejtuar nga 24- vjeçarja shqiptare S.C, dyshohet nga Gjirokastra, u kap në kohën kur vëzhgohej nga forcat e antidrogës së Epirit.
Kontrolli policor në bordin e mjetit identifikoi katër çanta me 101 pako të mbushura me marijuanë të presuar me sasi totale 111 kg. Sipas Policisë së Janinës, trafikantja 24- vjeçare është pjesë e bandës së trafikantëve ku më 28 maj të këtij viti, trafikoi 107 kg marjuanë sasi e kapur kjo në kufirin mes Gjirokastrës dhe Janinës, si dhe për trafikimin e 112 kg marijuana të ardhur po nga Lazarati, që u kap në afërsi të Janinës më 23 maj të po këtij viti, në të cilën u kap një trafikant 27- vjeçar shqiptar nga Fieri, Selim T.
Policia e Janinës, është vënë në kërkim të dy anëtarëve të tjerë të kësaj bande, të cilët vlerësohen si mjaft të rrezikshëm pasi janë ta pajisur me armë nervoparalizuese dhe armë zjarri.
Piro Nase
© Panorama.al











