Kapen të rinjtë, kryen 26 grabitje në Tiranë e Lezhë

Sep 23, 2011 | 12:00

TIRANE – Dy adoleshentë, njëri 15 dhe tjetri 16 vjeç, të akuzuar se kanë kryer të paktën 26 grabitje në Tiranë e Lezhë brenda shtatë muajve janë arrestuar dje nga policia. Teksa ishin bërë gati për “goditjen” e radhës, një pikë eurollotoje, te rruga “Andon Zako Çajupi” në Tiranë, ata janë vënë në pranga në flagrancë nga forcat e Komisariatit Nr.2. Policia e kryeqytetit tha dje zyrtarisht se gjatë operacionit të koduar “Krik”, u arrit arrestimi i Julian Alcanit, 15 vjeç dhe Egli Lukës, 16 vjeç, të dy banues në Lezhë. Dy adoleshentët mbaheshin në vëzhgim nga forcat e policisë gjatë dy muajve të fundit, pasi agjentët kishin rënë në gjurmët e tyre nga dhjetëra denoncime vjedhjesh që ishin kryer së fundi. Ndërhyrja e policisë është bërë në momentin kur ata pritej të kryenin vjedhjen e radhës, në mënyrë që të arrestoheshin në flagrancë. Nga të dhënat hetimore, rezulton që dy të arrestuarit i realizonin vjedhjet me thyerje, duke përdorur kaçavida dhe objekte të tjera metalike të përshtatura për të hapur dyer dhe qepena. Zakonisht objektet që vidhnin ishin orendi elektroshtëpiake, mallra ushqimorë, ilaçe etj., që më pas i nxirrnin në shitje. Grabitja e parë që është provuar nga policia, ka ndodhur më 26 mars të këtij viti, në rrugën “Mikel Maruli”, në Tiranë, ku kanë vjedhur me thyerje lokalin “Bet 07”, në pronësi të shtetasit R. Kalemaj, ku janë marrë një sërë sendesh elektroshtëpiake. Ndërsa vjedhja e fundit e realizuar nga dy të ndaluarit, ka ndodhur para tri ditësh, pranë lulishtes “1 Maji” në Tiranë, ku janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Komisariatit Nr.2, duke tentuar të vjedhin pikën “Eurolloto”, në pronësi të shtetasit Ylli Shehu.

© Panorama.al

Te lidhura