Kapen me 1 kg kokainë e heroinë në makinë, arrestohen dy të rinj

Nov 7, 2011 | 12:03
Droga dhe armët e bllokuara

DURRES – Dy persona u arrestuan duke transportuar heroinë e kokainë në drejtim të Shkodrës. Seksioni Kundër Narkotikëve në Policinë e Durrësit ka bërë arrestimin në flagrancë të 2 shtetasve dhe ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale, nën operacionin policor të sigluar “Tris”, 527.45 gramë lëndë të dyshuar si narkotike të llojit kokainë, 632.75 gramë lëndë të dyshuar si heroinë, 3 armë zjarri, nga të cilat dy pistoleta dhe një automatik, si dhe një sasi prej 123 copë fishekë. Sipas Policisë, në pranga janë vënë dy të rinj nga Shkodra, konkretisht, Jetmir Hallunaj, 28 vjeç dhe Klodian Shllaku, 27 vjeç, banues në fshatin Dajç. Mësohet se aksioni për kapjen e tyre nisi disa ditë më parë, ndërsa është finalizuar me arrestimin e dy të rinjve. Me anë të një deklarate për shtyp, Policia e Durrësit bëri me dije se “gjatë një kontrolli të ushtruar rreth orës 15:10, të datës 5 nëntor, në aksin rrugor Fushë-Krujë-Thumanë në automjetin tip “Benz”, me targa AA 381, të drejtuar nga shtetasi Jetmir Hallunaj dhe pasagjer Klodian Shllakun, në një kuti kartoni të vendosur pas sediljes së shoferit u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale dy pako të mbështjella me natriban, njëra nga të cilat dyshohet se përmban lëndë narkotike të llojit kokainë, me peshë 527.45 gramë, ndërsa tjetra lëndë narkotike të llojit heroinë, me peshë 632.75 gramë”. Ndërkaq, mësohet se agjentët e Policisë së qytetit bregdetar, pasi janë ndihmuar edhe nga kolegët e tyre të qytetit të Shkodrës, ushtruan kontroll në banesat e dy të arrestuarve. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Klodian Shllaku, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 1 pistoletë “Mini Blou”, me një krehër me 3 fishekë, 1 pistoletë “Ecol Special 99”, me një krehër me 3 fishekë dhe 1 automatik, model 56 me dy krehra me 18 fishekë. Ndërsa gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Jetmir Hallunaj, policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një sasi prej 123 fishekësh, model 54, të kalibrit 7.62 mm. Lidhur me hetimin e mëtejshëm të kësaj ngjarje do të punohet në drejtim të identifikimit të personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet të paligjshëm.                                l.m

© Panorama.al

Te lidhura