Policia parandaloi grabitjen me armë të një taksisti në Kamzë, ku ranë në pranga tre persona të armatosur dhe me maska. Personat që po planifikonin grabitjen ishin në hetim me metodat speciale nga policia, pasi akuzoheshin për vjedhjen e një karburanti në Kamzë dy muaj më parë. Në kohën kur policia po dokumentonte grabitjen e karburantit, gjatë ecurisë së hetimeve është zbuluar edhe plani i autorëve për një tjetër vjedhje. Për këtë arsye, forca të shumta të Policisë së Tiranës u angazhuan në një plan operacional gjatë mbrëmjes së të enjtes me qëllim kapjen e personave të dyshuar, para se të kryenin grabitjen. Burime zyrtare nga Policia thanë dje se u arrestuan në flagrancë: Arlind Dani, 56 vjeç, Eduart Hajdini, 17 vjeç dhe Roland Shehi, 18 vjeç. Të njëjtat burime thanë se në cilësinë e provës materiale, tre të dyshuarve iu sekuestruan edhe mjetet me të cilat do të kryenin grabitjen, një automatik model 56 me një krehër me 7 fishekë, një kapuç, tri palë doreza farmacie dhe një thikë. Gjithashtu, gjatë kontrollit fizik iu gjet edhe 1.6 gramë lëndë narkotike e llojit kokainë. Gjatë hetimit ka rezultuar se Arlind Dani dhe Roland Shehi janë autorë të vjedhjes me armë, kryer në bashkëpunim, të një karburanti, ngjarje e ndodhur më 3 tetor 2011, në Kamzë.
PLAGOSJA NE KAZINO
Në orët e para të mëngjesit të djeshëm, tre persona me maska kanë tentuar të grabisin një kazino pranë kryqëzimit të rrugës “Hoxha Tahsim” me Rrugën Bardhyl. Policia është njoftuar rreth orës 04:45 të ditës së djeshme nga punonjësi i kazinosë, Ilo Sh., i cili ka kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të policisë në vendin ku po ndodhte ngjarja. Sipas burimeve, grabitja ka dështuar, pasi autorët kanë hasur në rezistencën e dy truprojave, të cilët janë plagosur gjatë përleshjes me autorët. Të njëjtat burime thanë se njëri prej autorëve ka hyrë në ambientet e brendshme të kazinosë pasi i ka hedhur në sy një sprajt djegës truprojës së lokalit. Më pas ai është përleshur me punonjësin tjetër të sigurisë, Agron P., 36 vjeç, të cilin e ka goditur me thikë në krah. Dy të plagosurit janë dërguar në Spitalin Ushtarak, njëri me probleme në sy nga sprajti djegës dhe tjetri me plagë thike në krah. Të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën, ndërsa policia ka nisur hetimet për kapjen e autorëve të ngjarjes. Gjatë hetimeve në fjalë mësohet se janë marrë në pyetje personat e pranishëm në kazino në kohën kur ka ndodhur ngjarja, si dhe janë marrë filmimet e regjistruara nga kamerat e vëzhgimit.
ARRESTIMI I GRABITËSVE
Tre personat e arrestuar nga policia në tentativë për të grabitur një taksist në Tiranë kanë qenë në hetim që më parë. Pas ndjekjes së komunikimeve mes tyre në kuadër të hetimeve për vjedhjen e një karburanti, policia ka kryer kapjen e tre të dyshuarve në Rrugën e Durrësit. Ata ranë në pranga në flagrancë duke tentuar të kryenin vjedhjen me armë të një automjeti taksi. Gjatë kontrollit fizik të kryer këtyre shtetasve iu gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë automatik model. 56, një krehër me 7 fishekë, kapuç-maskë, doreza farmacie etj. Sipas Policisë, shtetasit Arlind Dani dhe Roland Shehi dyshohen si autorë të vjedhjes me armë, kryer në bashkëpunim, të karburant “Elda”, ngjarje e ndodhur më datë 3 tetor 2011, në Kamzë, Tiranë.
Etleva Delia
© Panorama.al











