
GJIROKASTER- Një tjetër sasi marijuane ka mundur të dalë nga Lazarati por pas 20 km rrugë u arrit të bllokohej nga Policia e Gjirokastrës. Janë sekuestruar 90 kg marijuanë dhe është arrestuar njëri prej trafikuesve, ndërkohë që katër të tjerë, mes të cilëve drejtuesit e trafikut janë shpallur në kërkim.
Policia tha se është arrestuar shtetasi, Ervis Murataj, 31 vjeç, nga Shijaku më parë i dënuar me katër vjet burg për trafik të lëndëve narkotike në Greqi. Ndërsa dy të tjerët përkatësisht A.K dhe K.M 29 dhe 26 vjeç, nga Tepelena, mundën të arratiseshin nga vendi i ngjarjes duke njohur shitigjet e zonës pasi janë banor të fshatit Luzat, fare pranë mjedisit ku u kap lënda narkotike.
Policia e Gjirokastrës ka identifikuar dhe shpallur në kërkim gjithashtu edhe dy persona të tjerë të përfshirë në këtë trafik, konkretisht pronarin e lëndës narkotike K.S, 31 vjeç, nga Lazarati dhe shoferin e automjetit që transportoi marijuanën deri në afërsi të Ujit të Ftohtë, B.A, 45 vjeç, nga Durrësi i cili është personi që ka blerë marijuanën në Lazarat një ditë më parë.
Droga ishte destinuar të shitej në Itali dhe do të përcillej atje përmes rrugës detare. Marijuana ka dale nga fshati Lazarat, në orët e para të së enjtes përmes një automjeti.
Piro Nase
© Panorama.al











