SARANDE- Një ngarkesë me 284 kg hashash është bllokuar në aksin Gjirokastër-Sarandë. Policia e Sarandës kishte marrë informacion për lëvizjen e kësaj ngarkese dhe për këtë ka organizuar operacionin e koduar “Duralumini”.
Agjentët e antidrogës kanë ngritur një postbllok në aksin Gjirokastër-Sarandë dhe porsa kanë pikasur mjetin e dyshuar i kanë bërë shenjë për të ndaluar. Drejtuesi i mjetit, tip “Mercedes-Benz” kamionçinë nuk ka bërë rezistencë. Policia ka ushtruar kontroll të imtësishëm dhe ka zbuluar një dopio shtresë të modifikuar në mjet.
Pikërisht në të, drejtuesi i mjetit, 22-vjeçari nga Vlora, Ermal Ramaj, kishte vendosur qindra pako, 1 dhe 2 kilogramshe, sasia e të cilave, pas peshimit, rezultoi në 283 kg e 700 gram lëndë narkotike e llojit “cannabis sattiva”.
Policia ka shoqëruar menjëherë në Komisariatin e Sarandës të dyshuarin, Ermal Ramaj, banues në lagjen “28 nëntori” në Vlorë, i cili pas hetimeve është arrestuar në flagrancë. Policia ka sekuestruar drogën e kamionçinën me targa AA 273 AY. Sasia e hashashit mësohet se vinte nga Lazarati dhe do të trafikohej më pas në Greqi. SHPRESA DINE
© Panorama.al











