DURRES- Dy shtetas gjermanë u arrestuan nga Policia e Durrësit, pasi tentuan të kalonin në Itali lëndë narkotike. Shtetasit e huaj do të udhëtonin me një prej trageteve të linjës Durrës-Bari. Oficerët e Policisë kishin siguruar informacione të detajuara se brenda mjetit “Volkswagen”, me targa BRC5975, gjendej lëndë narkotike, ndaj sapo e kanë parë mjetin që ka hyrë në sheshin e trageteve, i kanë bërë shenjë drejtuesit të hapë krahun. Pas kontrollit rezultoi se në gomën rezervë ishin fshehur 10.5 kg lëndë e dyshuar si marijuanë. Policia po punon për zbulimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë trafik. Ende nuk është konstatuar origjina dhe destinacioni i mallit, ndërsa dy gjermanët, Thomas Niconn, 33 vjeç dhe Frenz Andreas, 40 vjeç, u arrestuan me akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës. “Droga u gjet e fshehur në gomën rezervë të automjetit fuoristradë BRC 57 95 dhe ishte e paketuar në pako të mëdha e të çrregullta”, thuhej në njoftimin e Policisë. l.m











