Zv.ndihmëssekretari Amerikan i Shtetit, Thomas Kantrimen, pati dje takimet e para të turit ballkanik, që zyrtarët e departamentit amerikan do të zhvillojnë me krerët e politikës shqiptare. Countryman takoi dje ministrin e Jashtëm dhe njëkohësisht zv.kryeministër, Edmond Haxhinasto dhe ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha. Pas takimit, ministri i Jashtëm Haxhinasto, tha se u diskutua mbi situatën politike në Shqipëri, marrëdhëniet dy dhe shumëpalëshe, si dhe zhvillimet në rajon. Nga ana e tij, zv.ndihmëssekretari i Shtetit, Kantrimen, theksoi rëndësinë që u duhet kushtuar pavarësinë së institucioneve. Sipas tij, SHBA mbështet një hetim të plotë, të pavarur dhe gjithëpërfshirës për ngjarjet e 21 janarit. “Për çështjen e hetimit të 21 janarit, SHBA vazhdojnë të mbajnë të njëjtin qëndrimin – domethënë që të zhvillohet një hetim i plotë, i përgjithshëm i ngjarjeve të 21 janarit, duke filluar që nga organizatorët dhe deri tek pasojat. Për sa i takon zgjedhjeve, SHBA-të presin që çdo parti politike të ushtrojë përgjegjësitë e saj kushtetuese, sepse nuk janë vetëm përgjegjësi politike, por edhe kushtetuese, për t’u dhënë mundësi qytetarëve shqiptarë që në ditën e votimit të shprehin vullnetin e tyre në mënyrë demokratike dhe sipas standardeve më të larta për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, u shpreh ministri i Jashtëm shqiptar pas takimit me Kantrimen. Dje pasdite, rreth orës 18:00, Kantrimen u takua me kreun e opozitës, Edi Rama. Takimi mes tyre, që zgjati rreth 1 orë e 45 minuta, u zhvillua në zyrën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, ndërsa nuk ka një informacion zyrtar rreth bisedës së zhvilluar me zyrtarin e lartë amerikan, që në këtë takimin me Ramën shoqërohej edhe nga Ambasadori Amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu.











