Kanionet e Osumit, fundjava regjistron qindra turistë të huaj

May 16, 2011 | 10:52
Kanionet e Osumit

SKRAPAR- Kanionet e Osumit kanë pritur këtë fundjavë qindra turistë, kryesisht të huaj. Të informuar nga agjencitë e ndryshme, turistë nga vende të ndryshme si Gjermania, Çekia, Polonia etj., e kanë kthyer tashmë në një rit të përvitshëm vozitjen në kanionet e Skraparit, për të cilat ata shprehen se janë mjaft të veçanta. Burime pranë Zyrës Rajonale të Turizmit bënë të ditur se këto ditë Berati ka pasur mjaft turistë. Mësohet se janë 105 të tillë, nga shtetet e mësipërme, të cilat këtë fundjavë, që sapo kaloi, pasi kanë vizituar Beratin, i janë drejtuar kanioneve në Skrapar, e më pas edhe malit të Tomorit. Ata kanë ardhur edhe në vitet e mëparshme dhe tashmë e kanë kthyer thuajse në rit të përvitshëm vozitjen në ujërat e Osumit.
“Veç natyrës së mrekullueshme, ne shijojmë shumë edhe gatimin tradicional që bëhet këtu. Mishi është shumë i shijshëm, rakia e Skraparit na pëlqen shumë. Kemi qenë edhe vitet e mëparshme dhe tashmë jemi kthyer në turistë të përvitshëm në kanionet e Osumit, madje çdo vit ne sjellim miq të rinj, të cilët ashtu sikurse edhe ne, mahniten nga karakteristika e kanioneve”, u shpreh një turist i ardhur nga Gjermania. Burime nga Bashkia bënë të ditur se janë marrë të gjitha masat për të plotësuar kushtet e turistëve, të cilët në këtë stinë kapin një numër shumë të madh. Pasi vizitojnë qytetin e Uneskos, turistët të cilët i kanë njohur kanionet edhe nëpërmjet agjencive, i drejtohen Skraparit. Edhe policia bëri të diture se ka marrë të gjitha masat në mënyrë që të jetë në gatishmëri për çdo incident të mundshëm. Pronarët e lokaleve tregojnë se turistët që vijnë janë mjaft të kënaqur me gatimin. Për ta është sezon i artë, pasi në stinën e dimrit nuk ka shumë vizitorë në këtë anë. Ata pohojnë se deri në vjeshtë presin të vijnë mijëra vizitorë të huaj e nga vendi.                                  d.xh

© Panorama.al

Te lidhura