Kandidon i pavarur, Vladimir Kumi rimerr komunën e Lukovës

May 11, 2011 | 10:56

SARANDE – Komuna e Lukovës, do të drejtohet edhe për një mandat tjetër katërvjeçar nga Vladimir Kumi. Por kësaj radhe, Kumi nuk përfaqësonte asnjë subjekt politik, por ka ardhur në krye të komunës Lukovë duke garuar si kandidat i pavarur dhe mbështetja për të fituar i erdhi nga elektorati i tij, që e votëbesoi. Me 200 vota diferencë ndaj kandidatit të Aleancës për Qytetarin, Niko Vjeri, Vladimir Kumi, premtoi luftë ndaj mafies ndërtimore në bregdetin jonian. KZAZ 64 ka certifikuar mesditën e së martës fitoren e Vladimir Kumit për Komunën Lukovë. Pas numërimit të dhjetë kutive, që përmblidhte kjo njësi vendore, rezultati ishte i dukshëm në favor të Kumit, i cili kandidonte si i pavarur në raport me tre kandidatët e tjerë kundërshtarë, Niko Vjeri nga LSI, Enver Leka nga PDK dhe Klajdi Mati nga LZHK. Me 200 vota diferencë ndaj Niko Vjerit të Aleancës për Qytetarin, Kumi ka shënuar një rast unikal, i cili fitoi pa sigël të ndonjë subjekti politik. Pak minuta pas shpalljes së fitores së tij, Kumi ka premtuar vazhdimin e projekteve zhvilluese si dhe luftë pa kompromis të asaj që ai ka quajtur mafien e ndërtimit në bregdet. “Nuk kam pasur asnjëherë dyshim që së bashku me komunitetin tim do të fitonim, – u shpreh Kumi. – Nëse do të pyesnit se kundër kujt është kjo fitore, do të shprehesha se është kundër mafies së tokave, është kundër piraterisë së betonit, është kundër të gjithë atyre që ndërtojnë për interesa mafioze në kurriz të bregdetit”. Vladimir Kumi është renditur i pari, i dyti përfaqësuesi i LSI, Niko Vjeri, e më pas Enver Leka i PDK dhe Klajdi Mato i LZHK. sh.d

© Panorama.al

Te lidhura