
Ish-lideri i PS takon kreun e Grupit Parlamentar të opozitës dy ditë para raundit të dytë. Nano: PS të më kandidojë, ose nis lëvizjen për ribashkimin e së majtës.
Ish-lideri socialist vijon kontaktet me eksponentë të lartë të PS, u kërkon mbështetje për President.
Ish-lideri historik i PS, Fatos Nano, është takuar dje në mesditë me kryetarin e Grupit Parlamentar socialist, Gramoz Ruçi.
Nano, i vetmi kandidat i vetëshpallur nga e majta, i ka kërkuar bashkëpunëtorit të vjetër të tij, Ruçi, mbështetjen për garën presidenciale. Gjatë bisedës, e cila u zhvillua në një nga hotelet e njohura pranë zonës së ish-Bllokut, nga ora 13:00 deri në 14:00, Nano i ka shprehur Ruçit pakënaqësinë e tij për mungesën e qartësisë që lidershipi i PS po tregon në lidhje me kandidaturën e tij për President. Nano e ka cilësuar të pakuptimtë mosshpalljen e emrit të tij si kandidat të PS për të kërkuar më tej konsensus dhe nga Partia Demokratike në takimin që Rama pritet të zhvillojë me Kryeministrin Berisha. Mësohet se në takim, Nano e ka konsideruar si shans të fundit provën e besimit dhe mbështetjes që ai pret nga Edi Rama për ta kandiduar atë për President. Duke sjellë në vëmendje zgjedhjet për President të zhvilluara në vitin 2007, kur ai nuk mori mbështetjen e Edi Ramës, as zyrtarisht dhe as indirekt, por përkundrazi, u propozuan emra të tjerë që s’kishin lidhje me PS-në, Nano mësohet të jetë shprehur në mënyrë ultimative. Burime pranë takimit pohojnë se ish-kreu socialist i është shprehur Ruçit se nëse nuk merr mbështetjen e PS si kandidat për President, ai do të nisë një lëvizje politike në PS për të çmontuar, sipas tij, “parazitizmin korruptiv dhe dështues të Ramës si opozitar fals dhe për ribashkimin e së majtës me apo pa Metën”.
Qëndrimi i PS
Gramoz Ruçi, bashkëpunëtori i vjetër në PS i Fatos Nanos që prej vitit 1991, ka qenë më i qartë në deklaratat e tij në lidhje me kandidimin e tij për postin e kreut të shtetit. Ruçi nuk e ka përjashtuar Nanon nga ambicia e tij për President, por naga ana tjetër asnjëherë nuk është shprehur se “Nano nuk është kandidati ynë”. Dy ditë më parë, i ftuar në Top Story, Ruçi tha se kandidatura e Nanos duhet të dalë si konsensuale nga tryeza mes Ramës dhe Berishës. Ruçi zbuloi detaje nga takimi që Fatos Nano zhvilloi me të dhe Edi Ramën në selinë e PS. I pyetur nëse për mospropozimin e Fatos Nanos si kandidat për President, koston do ta marrë Rama, Berisha apo Meta, Ruçi u shpreh: “Do t’ju përgjigjem me një mendim që zotit Nano ia kam thënë në takimin që bëri me zotin Rama. Zoti Nano i bëri pikërisht këtë pyetje që ju më bëni mua zotit Rama: nëse zoti Berisha shtron pyetjen dhe thotë: zoti Nano, ty të mbështet PS? Unë i thashë zotit Nano: zotit Berisha do t’i thoni që këtë pyetje mos ma bëni mua, por këtë pyetje bëja zotit Rama kur të ulesh në negociata me të! Unë pres që zoti Berisha të ulet në negociata në tavolinë dhe pres që zoti Berisha t’ia shtrojë këtë pyetje zotit Rama, dhe aty zoti Rama do t’i japë përgjigjen që duhet”, u shpreh Ruçi, duke dhënë detaje nga takimi mes tij, Nanos dhe Ramës. Pritet që dita e sotme dhe e diela të jenë vendimtare për një proces konsensual mes palëve, ndërsa pritet të organizohet një takim mes Ramës dhe Berishës.
Nano mungon në diplomimin e djalit
Fatos Nano nuk shkoi dje në Vjenë, ku djali i tij, Klajdi Nano, do të diplomohej në International School. Në Aeroportin e Rinasit dje u pa e vetme bashkëshortja e Fatos Nanos, Xhoana, e cila fluturoi drejt Vjenës. Deri mbrëmë në darkë, Nano me stafin e tij kanë qenë në zyrat e shtabit politik te dy Kullat Binjake në qendër të Tiranës.
Malaj debaton me Ramën: PS të kandidojë Fatos Nanon
Anëtari i Kryesisë mbështet ish-liderin historik të selisë rozë
Anëtari i Kryesisë socialiste, Arben Malaj, mësohet se ka debatuar dje ashpër me kryetarin socialist Edi Rama lidhur me emrin që PS duhet të deklarojë si kandidat për President. Malaj i ka kërkuar Ramës të deklarojë në emër të PS Fatos Nanon si kandidat të mbështetur prej saj, kandidaturë për të cilën duhet të negociohet dhe me Sali Berishën. Mësohet se Rama dhe Malaj kanë shkëmbyer batuta, ndërsa kreu i PS është treguar ngurrues dhe i paqartë për çështjen e procesit të propozimit të emrave. Ditën e martë, në mbledhjen e Grupit Parlamentar socialist, Malaj e ka cilësuar joserioze kërkesën që Rama u bëri deputetëve të PS për të sjellë emra kandidatësh për President. Në një intervistë dhënë për gazeyën “Panorama” dy ditë më parë, Malaj ka mbështetur si të vetmen kandidaturë që duhet të kërkojë dhe konsensusin e PD-së, Fatos Nanon. “Unë besoj se zoti Rama e ka mbi tavolinë kandidaturën e zotit Nano dhe nuk besoj se kjo do të jetë një garë propozimi emrash. Kjo është një kandidaturë e propozuar edhe në publik, dhe ka ato avantazhe që thashë. Procesi i propozimit të kandidaturave nuk besoj se do të mbyllet në një emër të vetëm, por mendoj se duhet të fillojë me shqyrtimin e kandidaturës së zotit Nano. Partia Socialiste duhet ta kishte nisur më shpejt procesin, duhet të kishte dhënë vlerësimin e saj për ofertën publike që ish-lideri socialist Fatos Nanos bëri, i cili bëri dhe takimet përkatëse me liderët politikë parlamentarë. Vlerësimi im për Nanon nuk është thjesht dhe vetëm individual. Unë vlerësoj se kryetari i shtetit duhet të jetë një figurë me eksperiencë politike, të ketë kontribute në jetën politike të vendit, të cilat afrojnë garanci më të mira se çdo përzgjedhje spontane për zgjedhjen e kreut të shtetit”, u shpreh Malaj për Nanon.
Rama mbledh Kryesinë e Grupit: Sillni emra kandidatësh nga deputetët
Gjatë ditës së djeshme, kryesocialisti Rama ka mbledhur dy herë Kryesinë e Grupit Parlamentar. Në mbledhjen e mëngjesit, Kryesia e Grupit, e cila shumë herë cilësohet si “kryesia e vogël”, ka kërkuar nga anëtarët e saj të mbledhin propozimet e deputetëve për kandidatin për President që duhet të artikulojë PS. Kryesia e Grupit Parlamentar, ku bëjnë pjesë nënkryetarët e Grupit, sekretari, kryetarët dhe nënkryetarët socialistë të komisioneve parlamentare, janë përpjekur gjatë paradites të grumbullojnë propozimet sipas porosisë së dhënë nga Edi Rama. Deputetët socialistë u informuan në mbledhjen e së martës nga kreu socialist se do të duhet të propozonin emra mbi të cilët Kryesia e PS të diskutonte për të përzgjedhur kandidatin e saj. Edhe pse kjo kërkesë e Ramës u prit jo pa ilaritet në sallën e mbledhjeve të Grupit, deputetët e morën si një veprim të menjëhershëm. Dje, kryetarët dhe nënkryetarët e komisioneve parlamentare u kanë telefonuar disa deputetëve që kanë në komisionet e tyre për të dhënë një emër për kandidat. Mbledhja e pasdites, e cila nuk ka zgjatur shumë, është mbajtur në konspiracion të plotë dhe në mungesë të informacionit. Nuk dihen emrat që janë propozuar nga deputetët, por pritet që sot të debatohet rreth tyre.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











