Mjeku shqiptar nga Londra Kristo Papa, kandidati nga diaspora për deputet, në një intervistë për News24, është shprehur se dëshiron të jetë zëri i diasporës në Kuvend.

Sa i takon votës së emigrantëve, ai e konsideroi evet historik, dhe theksoi se mendon se ka ardhur momenti të japë kontributin e tij për vendlindjen.
“Kam shumë vite që jetoj në diasporë, kam qenë në SHBA e në Britani. Dua të jap kontribut për atdheun tim. Dua që të jap gjithë ekspertizën time në shëndetësi, arsim. Unë kam dhënë kontribut si mjek. Jam rritur si fëmijë emigrantësh në Greqi, kam qenë i lidhur me komunitetin shqiptar në Greqi, kam ushtruar profesionin e mjekut edhe në Itali, Britani e në Amerikë.
Profesioni im si mjek më ka lidhur me diasporën shqiptare. Unë e konsideroj event historik që diaspora shqiptare në mbarë botën mund të votojë. Dua të jem zëri i diasporës shqiptare në parlament”, tha Papa.
Ai ka zbuluar se cili do të ishte kontributi i tij në Shqipëri, konkretisht në shëndetësi, nëse do të zgjidhej si ligjvënës në zgjedhjet e 11 majit.
Papa u shpreh se do të sillte teknikat më të fundit në shëndetësi, për të garantuar që pacientit t’i ofrohet shërbim në kohë reale.
“Në 2025 e konsideroj se duhet të ofrohet shërbimi në kohë reale, të sjellim protokollet britanike për sigurinë e pacientit. Një gjë tjetër është që mjekësia rurale të jetë aktive. Po punojmë për ta vënë në funksion”, tha mjeku.
I pyetur nëse po bën fushatë në Angli, edhe pse emri i tij ende nuk është konfirmuar si kandidat për deputet, Papa e konfirmoi, teksa shtoi se ka ftuar të gjithë komunitetin shqiptar të japë kontributin e tij në fushat përkatëse.
Gjithashtu ai tha se ka adresuar edhe problematikat e diasporës, për regjistrimin e tyre në platformën e KQZ.
Pjesë nga intervista:
Çfarë do të kishit ndryshuar në shëndetësi?
Kam krijuat një rrjet specialistësh që janë nga e gjithë bota, janë edhe mjekë shqiptarë. Duan të sjellin në teknikat e fundit të mjekësisë. Në 2025 e konsideroj se duhet të ofrohet shërbimi në kohë reale, të sjellim protokollet britanike për sigurinë e pacientit. Një gjë tjetër është që mjekësia rurale të jetë aktive. Po punojmë për ta vënë në funksion.
Ju i vazhdoni takimet me njerëzit? Bëni një minisfushatë le të themi kështu?
Po patjetër. Takimin e radhës e kam në Manchester. Komuniteti shqiptar pas Lodrës, më i madh është në Manchester. Kryebashkiaku laburist do të jetë i pranishëm. Diaspora shqiptare në Britani po shkëlqen edhe unë dua që kjo diasporë të jetë e angazhuar. I kam ftuar të japim të gjithë bashkë kontributin në të gjitha fushat dhe aktualisht mendoj se kam një organizim goxha të mirëfilltë. Jemi gati.
Keni ndeshur problematika, me procesin e regjistrimit?
Shumë njerëz më kanë thënë se kanë patur problem me regjistrimin kur jetojnë në të njëjtën shtëpi. E kanë të vështirë, që 4 anëtarë të një familje, me një kontratë shtëpie apo qiraje, të regjistrohen. Kanë patur edhe probleme teknike, nuk dinë të regjistrohen
Do të donin të regjistroheshin me dokumentacionin e vendit ku jetojnë?
Besoj duhet të shqyrtohet nga ekipet e ekspertëve të punës. Janë ata që duhet të marrin vendime, te KQZ. Qytetarët më pyesin po mund të votojnë me karta identiteti të skaduara dhe pasaporta, janë shumë. Tani që janë vënë në dijeni se po, kanë filluar të regjistrohen.
© Panorama.al











