Mark Carney i ka kërkuar Izraelit të zhvillojë një hetim të pavarur lidhur me trajtimin e aktivistëve të flotiljes “Global Sumud Flotilla”, të cilët u ndaluan nga autoritetet izraelite gjatë një misioni humanitar drejt Gazës.
Sipas një deklarate nga zyra e kryeministrit kanadez, Carney i tha presidentit izraelit Isaac Herzog se trajtimi i aktivistëve, përfshirë shtetas kanadezë, ishte “i papranueshëm”.
Ai përsëriti gjithashtu kundërshtimin e Kanadasë ndaj zgjerimit të vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor dhe ndaj dhunës kundër civilëve palestinezë, duke e cilësuar situatën në Gaza si “katastrofike”.
Aktivistët ishin pjesë e flotiljes ndërkombëtare “Global Sumud Flotilla”, e cila tentoi të dërgonte ndihma humanitare në Gaza. Sipas organizatorëve, disa prej tyre u keqtrajtuan gjatë ndalimit dhe disa aktivistë u transportuan të plagosur.
Raportimet përfshijnë edhe akuza të rënda për abuzim seksual, ku të paktën 15 aktivistë kanë paraqitur ankesa zyrtare, përfshirë pretendime për përdhunim.
Shërbimi izraelit i burgjeve i ka mohuar akuzat.
Ndërkohë, ministrja e Jashtme e Kanadasë, Anita Anand, deklaroi se kishte zhvilluar një bisedë telefonike me homologun izraelit Gideon Sa’ar, të cilit i tha se Otava do t’i dorëzojë prova lidhur me keqtrajtimin e shtetasve kanadezë.
Ajo theksoi se mohimi i aksesit konsullor për qytetarët kanadezë gjatë ndalimit përbën shkelje të Konventës së Vjenës.
Nga ana tjetër, Gideon Sa’ar deklaroi se aktivistët e flotiljes ishin “të frymëzuar nga Hamasi”, ndërsa ngriti shqetësime edhe për rritjen e incidenteve antisemitike në Kanada.
Tensionet mes Kanadasë dhe Izraelit janë përkeqësuar ndjeshëm javët e fundit, ndërsa mediat kanadeze raportojnë se marrëdhëniet mes dy qeverive janë në nivelin më të ulët historik.
© Panorama.al












