I ndau motrën, plagos me automatik dhëndrin dhe një 62-vjeçar

Jan 11, 2012 | 13:24

Komisariati i Kamzes

Vëllai i nuses qëllon ish-dhëndrin, dy të plagosur, shkak divorci.

Prishja e një krushqie është bërë shkak dje për një konflikt me armë në Kamzë, ku mbetën të plagosur dy persona. Ngjarja ndodhi rreth orës 16:30, pranë shkollës “Ibrahim Rugova”. Një person ndaloi makinën dhe qëlloi me automatik në drejtim të një automjeti tjetër në të cilin ndodheshin dy persona. Pasagjeri i mjetit tip “Golf” me targë greke ZZM 2935, 62-vjeçari me iniciale B. M., mbeti i plagosur rëndë pasi u godit me dy plumba. Ndërkohë, drejtuesi i mjetit, Ilia Kokali, që sipas Policisë ishte edhe objekti i tentativës së vrasjes, arriti t’i shpëtonte sulmit me armë zjarri. Nga ngjarja mbeti i plagosur edhe një kalimtar i rastit, Fiqiri Koçi, që ka pësuar vetëm disa gërvishtje të lehta nga ciflat e xhamave të makinës, pasi ndodhej shumë pranë saj. Autori i dyshuar i ngjarjes arriti të largohej me makinën e tij tip “Benz” në drejtim të Laknasit dhe policia ka arritur ta identifikojë. Sipas burimeve nga grupi hetimor mësohet se i dyshuari si autor i ngjarjes është Klodian Lika, por ende nuk është saktësuar nëse ai ndodhej vetëm në makinë apo i shoqëruar nga ndonjë person tjetër që e ka ndihmuar në kryerjen e krimit. Nga të dhënat paraprake, të bazuara nga deklarimet e të afërmve të të plagosurit dhe kushëririt të tij, Ilia Kokali, dyshohet që motiv i ngjarjes ka qenë një krushqi e prishur para 7 vitesh. Sipas Policisë, autori i ngjarjes ka tentuar të vrasë Ilia Kokalin, i cili është ish-dhëndri i tij, por aksidentalisht është plagosur kushëriri i vet, B. M., që ndodhej në ndenjësen e parë të makinës.
TENTATIVA E VRASJES
Krimi ka ndodhur rreth orës 16:30. Ilia Kokali, bashkë me kushëririn e tij, 63-vjeçarin B. M., po ktheheshin nga një vizitë ngushëllimi nga familja e një të afërmit të tyre që kishte vdekur tri ditë më parë. Në qendër të Kamzës, kur ata kishin ndaluar me makinën tip “Golf”, që drejtonte Kokali, një makinë tjetër tip “Benz”, sipas Policisë, u kishte zënë pritë. Personi që ndodhej brenda makinës “Benz”, që sipas grupit hetimor quhet Klodian Lika, ka qëlluar me breshëri në drejtim të makinës ku ndodhej ish-dhëndri i tij, Ilia Kokali, i cili 7 vite më parë ka qenë i fejuar me motrën e autorit, e cila ka helmuar veten duke gjetur vdekjen. Sipas të njëjtave burime, i dyshuari, edhe pse kishin kaluar shtatë vjet nga vdekja e së motrës, ka dashur të marrë hak duke tentuar të vrasë Ilia Kokalin, që ka qenë i fejuari i saj. Por, nga të shtënat e armës nuk është plagosur Kokali, por kushëriri i tij 63 vjeç, B. M., që ndodhej në makinë me të. Ngjarja ka ndodhur në një orë kur zona ishte shumë e populluar, para shkollës 9-vjeçare “Ibrahim Rugova” në Kamzë, por fatmirësisht nga plumbat nuk ka mbetur i plagosur asnjë nga nxënësit që po dilnin nga shkolla në atë orë. Përveç një kalimtari të rastit, që ndodhej pranë makinës, i cili ka pësuar disa plagë të lehta nga xhamat e thyer të Golfit që u sharrua nga plumbat. Nga breshëria e automatikut është dëmtuar edhe një makinë tjetër që ndodhej e parkuar pranë vendit të ngjarjes, automjeti tip “Benz”, me targë AA 625 CB. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar dhjetëra forca policie nga Komisariati Nr. 5 dhe oficerë të Krimeve të Rënda nga Drejtoria e Policisë së Tiranës. Grupi hetimor ka rrethuar vendin e ngjarjes dhe ka marrë dëshmitë e para të personave që kanë qenë pranë vendit të ngjarjes. Ata kanë deklaruar se autori ka qëlluar nga brenda makinës tip “Benz” dhe më pas është larguar në drejtim të Laknasit.

Motra e autorit helmoi veten pasi u nda nga i fejuari
Tirane – Shtatë vjet më parë, sipas Policisë, motra e autorit të plagosjes së djeshme në Kamzë kishte helmuar veten për shkak të ndarjes me të shoqin. Nga deklarimet që kanë dhënë për grupin hetimor të afërmit e të plagosurit B. M., i cili u plagos rëndë pasditen e djeshme, mësohet se shkak i ngjarjes ka qenë një krushqi e prishur. Ky variant i ngjarjes, sipas Policisë, është mbështetur edhe nga deklarimet e dhëna edhe nga familjarët e Ilia Kokalit, që ishte objekti i sulmit të armatosur. Sipas familjarëve, Kokali ka qenë i fejuar rreth shtatë vite më parë me motrën e të dyshuarit si autor i ngjarjes, Klodian Lika. Ata kanë qëndruar të fejuar rreth një javë dhe më pas janë ndarë. Por për shkak të ndarjes nga i fejuari, motra e autorit të ngjarjes ka kaluar një periudhë të rëndë depresioni, që e detyroi të pinte fostoksinë, duke u vetëhelmuar. Pavarësisht se ajo mori menjëherë ndihmën mjekësore në spital, nuk arriti të mbijetojë dhe ndërroi jetë dy ditë pas vetëhelmimit. Për fatkeqësinë e tyre familja Lika fajësoi ish-dhëndrin Ilia Kokali, duke e quajtur fajtorin kryesor të vdekjes së vajzës së tyre. Pas prishjes së krushqisë mes dy familjeve ka pasur konflikte të vazhdueshme, madje sipas Policisë, Kokali kishte marrë edhe më parë kërcënime nga vëllezërit e ish-të fejuarës së tij. Familjarët e tij kanë deklaruar se asnjëherë nuk e kishin menduar se konflikti mund të përfundonte deri në këtë pikë, sa ata të tentonin vrasjen e ish-dhëndrit. Aktualisht Kokali ishte i martuar dhe sipas të afërmve, martesa e tij ka sjellë acarimin e krushqve të tij të mëparshëm, të cilët dyshohet se kanë dashur të hakmerren për ndarjen e këtij personi nga e fejuara e mëparshme.

Policia dështon në arrestimin e Klodian Likës
I mbijetuari i atentatit tregon emrin e autorit të ngjarjes
TIRANE – Autori i ngjarjes së ndodhur dje pranë shkollës “Ibrahim Rugova” në Kamzë ka arritur të largohet nga vendi i krimit para mbërritjes së policisë. Forcat e rendit nga Komisariati Nr. 5 dhe nga Drejtoria e Policisë së Tiranës kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe fillimisht u kanë dhënë ndihmën e parë të plagosurve. Më pas ka nisur hetimi i ngjarjes, ku mësohet se personi që ka qenë objektiv i atentatit, Ilia Kokali, ka identifikuar edhe autorin e ngjarjes. Ai ka treguar emrin e personit që qëlloi me armë dhe motivin që e ka shtyrë atë në këtë veprim. Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim të dyshuarin Klodian Lika. Për kapjen e tij dje janë kryer kontrolle në disa automjete që kanë lëvizur në zonë dhe në disa banesa të të afërmve dhe të njohurve të tij. Shërbimet e policisë kanë qëndruar duke patrulluar zonën në ndjekje të të dyshuarit, por arrestimi i tij nuk është bërë i mundur deri rreth mesnatës së djeshme. Nga burimet e Policisë mësohet se forcat e rendit po bashkëpunojnë me prokurorinë për gjetjen e vendndodhjes së të dyshuarit.

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura