
KUKES – Mbi 5 kilometra është radha e pritjes për t’u futur në Kosovë nga kamionët e rëndë që transportojnë kryesisht çimento nga Shqipëria në Kosovë, por dhe mallra të tjerë tranzit. Drejtuesit e kamionëve thonë se kanë ndryshuar procedurat elektronike të kontrollit dhe zhdoganimit, prandaj ndodhin të tilla gjëra. “Kam mbi 28 orë që pres këtu në Morin për të kaluar kufirin. Kam ngarkuar çimento në Fushë-Krujë. Faji është në doganën e Kosovës, pasi në Morin nuk kemi ndalesa. Kanë ndryshuar papritur krejt procedurat e kontrollit elektronik në doganë dhe pagesat. Vetë doganierët e Kosovës nuk e zotërojnë si duhet këtë teknologji të re dhe vonesat janë shumë të mëdha. Po presim anës rrugës, në vapë, pa kushte jetese, s’ka as hotel e as parking doganor. Është e pafalshme që qeveria e Kosovës po na keqtrajton kështu”, thotë Selim Smajli, një nga kamionistët në radhë. Shumica dërrmuese e shoferëve janë nga Kosova, por një pjesë e vogël dhe nga Shqipëria. Shoferit presin në vapë anës rrugës, pasi në Morin mungon parkingu doganor, puna për ndërti-min e të të cilin sapo ka filluar. Doganierët e Vërmicës thonë se ka ndryshuar sistemi i zhdoganimit e mënyra e pagesës, dhe ky sistem i ri po sjell vonesa. Ndërsa nën zë pohohet se pengesa është e qëllimshme, me hapjen e një tjetër fabrike çimentoje në Kosovë, në Han të Elezit, me qëllim të mos kalojë çimento nga Shqipëria. Muaj më parë problemi i taksës doganore shkaktoi polemika mes dy qeverive dhe protesta nga tregtarët. j.h











