Kameron: Mbrojta Britaninë Sarkozi: Ai përçau Europën

Dec 13, 2011 | 13:50

Europa është ndarë dhe këtë më shumë se kushdo tjetër e thekson Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, i cili në çdo dalje publike po fajëson Kryeministrin britanik, David Kameron, për ekzistencën e dy Europave. “Tashmë ekzistojnë dy Europa të ndryshme. Njëra prej tyre dëshiron të shikojë më shumë solidaritet midis anëtarëve të ndryshëm, ndërsa tjetra është e lidhur pas logjikës së tejkaluar të tregut të vetëm”, ka deklaruar Sarkozi. Gjatë një interviste për “Le Monde”, Presidenti francez tha se samiti i fundit do të njihet si “vendi ku lindi një Europë e përçarë”. Ndërkohë, i akuzuari i pjesës tjetër të Europës, David Kameron, doli përpara Parlamentit britanik dje pasdite për të shpjeguar vendimin e tij për t’i vënë veton propozimit franko-gjerman për ndryshimin e traktateve europiane. Sipas Kameron, traktati i ri i BE-së përbën rrezik për financat e Londrës. Ai shtoi se kërkesat e tij për paketën franko-gjermane ishin më se të logjikshme dhe mbronin interesat e Britanisë së Madhe. Kryeministri britanik shpjegoi se vendimi për të folur në emër të të gjithë Britanisë e për t’i vënë veton për herë të parë në histori një traktati europian, nuk ishte i lehtë. Kameron theksoi se vetoja e tij për këtë propozim nuk do të thotë se Britania e madhe është tërhequr nga ideja e Unionit Europian, por thjesht se interesat e vendit janë mbi interesat e euros. Sipas tij, Britania do të vazhdojë të angazhohet për një bashkëpunim konstruktiv me vendet e tjera të BE-së. Raportimi i Kameron në Parlament u bë mes akuzave të opozitës se vetoja e Kameronit përkthehet si izolim i Britanisë së Madhe nga pjesa tjetër e Europës. Kryeministri britanik  ndërkohë është edhe nën presionin e liderëve europianë, të cilët e akuzojnë atë për ndarje të Europës, me zemërimin akoma më të madh për humbjen e një pjese të mirë kontributi financiar nga Londra. Kameron siguroi se Britania e Madhe nuk do të hyjë në eurozonë, për sa kohë ai do të jetë Kryeministër. Sipas sondazheve, vetoja e Kameron u mbështet nga pjesa më e madhe e opinionit publik. Gjatë kohës që Kameron po mbante fjalimin e tij në Parlament për të shpjeguar përse ai kishte vendosur veton kundër traktatit të ri europian, aleati i tij në koalicionin qeveritar, Nik Kleg, nuk shihej në asnjë cep të sallës. Kleg është një nga zërat më pro-europianë në Britani dhe nuk e ka përcjellë idenë e kundërshtimit të traktatit më të fundit, i cili konsiderohej si traktati më historik i Unionit në dekadën e fundit.

Trojka në Greqi
Përfaqësuesit e trojkës (FMN-BQE-KE) kanë nisur dje në Athinë negociatat mbi paketën e re të ndihmës. Qeveria greke po përpiqet të sigurojë pjesëmarrje sa më të madhe të sektorit privat në shkëmbimin e obligacioneve, por negociatat do të jenë të vështira, sepse pjesëmarrja është ende e ulët. Gjatë kësaj vizite, trojka pritet të kërkojë ulje pagash dhe shpërblimesh në masa të reja kursimi, që kësaj radhe mund të prekin sektorin privat. Sipas mediave greke, përfaqësuesit e trojkës do të rikthejnë në tryezë propozimin shokues të bërë më parë në muajin tetor, për uljen e pagës minimale të punonjësve në sektorin privat. Po kështu pritet të eliminohet paga e 13-të dhe 14-të në këtë sektor.

© Panorama.al

Te lidhura