Përgjimet telefonike të një personi, i cili ishte identifikuar në një grabitje me armë në korrik, e ka çuar policinë mbrëmjen e 14 shtatorit bashkë me grabitësit te një pikë lojërash fati pranë sheshit “Avni Rustemi” në Tiranë. Në këtë mënyrë, grabitja e radhës u zhvillua “nën syrin” e policisë, por ndërhyrja për arrestimin e keqbërësve precipitoi në shkëmbim zjarri. Nga përballja u plagos një punonjës policie dhe dy prej grabitësve. Ndërkohë u arrestuan 6 persona, mes të cilëve edhe një femër, studente në Fakultetin e Shkencave Politike. Dosja e prokurorisë zbardh detaje se si u zbulua grupi, që dyshohet të jenë autorë të mbi 19 vjedhjeve.
GJURMIMI
Sipas organit të akuzës, fillesa kishte qenë në identifikimin nëpërmjet pamjeve filmime të Bejo Pashës, si një nga autorët e një grabitjeje me armë në një pikë lojërash fati në bulevardin “Zogu I”, më 23.07.2011. Më pas, nga ana e Policisë Gjyqësore, Pasha është mbajtur nën vëzhgim, ndërsa bisedat e tij telefonike janë përgjuar. “Më datë 11.09.2011, ora 16:58, shtetasi Bejo Pasha është telefonuar nga Greqia nga numri 003069xxxx2778 dhe nga zëri është kuptuar se është shtetasi ‘Vani’, ku në bisedë, shtetasi Bejo Pasha i thërret dhe si ‘Milko’. Shtetasi Milko i shprehet se: ‘Nesër do të nisem. Pasnesër do jem në Tepelenë dhe do të vij direkt për Tiranë’. Më datë 14.09.2011, rreth orës 23:00, shtetasi Bejo Pasho, në bashkëpunim me shtetasit Niklovan Çuraj, Ani Rrapo, Ilirjan I., Jetmir Elmazi dhe Jonida Çuraj, kanë realizuar vjedhjen e kazinosë ‘Apex’, që ndodhet në afërsi të sheshit ‘Avni Rustemi’. Menjëherë, pasi kanë realizuar vjedhjen, autorët janë prangosur nga punonjësit e policisë në momentin që po largoheshin. Gjatë prangosjes, shtetasit Niklovan Çuraj dhe Bejo Pasha kanë përdorur armë zjarri ndaj forcave të policisë. Gjatë ndërhyrjes, nga shkëmbimi i zjarrit janë plagosur të dy këta shtetas, si dhe një punonjës policie. Të dëmtuarit janë shoqëruar në Spitalin Ushtarak Tiranë, ndërsa katër shtetasit e tjerë, Jonida Çuraj, Ani Rrapo, Ilirjan I. dhe Jetmir Elmazi, janë shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë Tiranë, për t’u marrë në pyetje”, thuhej në materialet e prokurorisë.
STUDENTJA
Sipas hetimeve, “roli” i studentes së dyshuar si bashkëpunëtore në grabitje ishte ai i vëzhgimit në distancë dhe lajmërimit për momentin e “goditjes”. “Ky mjet ka lëvizur disa herë në rrugën pas Prokurorisë së Përgjithshme dhe në rrugën “Luigj Gurakuqi”. Shtetasit Jonida Çuraj e Ani Rrapo kanë zbritur nga mjeti dhe janë ulur jashtë në një lokal përballë kazinosë, ndërsa mjeti ka vazhduar lëvizjen. Gjatë kësaj kohe, shtetasi Ani Rrapa është parë vazhdimisht të komunikonte me telefon celular. Në momentin që roja i kazinosë është futur brenda, menjëherë nga tuneli që lidh rrugicën e Prokurorisë së Përgjithshme me rrugën ‘Luigj Gurakuqi’ kanë dalë shtetasit Pejo Pasha e Niklovan Çuraj dhe kanë hyrë brenda ambienteve të kazinosë, ku dhe kanë realizuar vjedhjen me armë. Shtetasit Ani Rrapa e Jonida Çuraj kanë tentuar menjëherë të largohen me një taksi, por janë kapur nga punonjësit e policisë”, thuhej në dosjen e akuzës.
ARMAND BAJRAMI











