Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, ka dalë në një prononcim për media, nga Komuna e Parisit, zona ku efektivi i Policisë Erion Goxharja plagosi me armë zjarri shtetasin LorenC Kosta.
Sipas Vocajt, autori mund të ketë qëlluar me armën e shërbimit, ndërsa theksoi se motivet janë të dobëta.
Ndër të tjera u shpreh se ka komunikuar me efektivin, duke treguar se ai ndodhej në gjendje të rënduar psikologjike.
Përmes medias, drejtori i Policisë së Tiranës, i bëri thirrje Goxharajt të dorëzohet.
“Probabiliteti është që ka qëlluar me armën e shërbimit. Motivet janë të dobëta. Mund të themi se autori e ka qëlluar në pjesën e poshtme të trupit, nuk tregon dashje për ta vrarë. Do të jenë ekzaminimet që do të përcaktojnë shkallën e përgjegjësisë.
Autori ka qenë jashtë orarit të punës. Kam komunikuar me efektivin, është në gjendje të rënduar psikologjike. Ne jemi duke harxhuar të gjitha energjitë për ta kapur. I bëjmë thirrje dhe përmes medias të dorëzohet”, tha Vocaj.
Njoftimi i policisë për ngjarjen:
Më datë 19.08.2024, rreth orës 14:07, në afërsi të një marketi te rrethrrotullimi i Komunës së Parisit, dyshohet se për motive të dobëta, shtetasi E. G., (punonjës Policie) ka plagosur me armë zjarri shtetasin L. K., 45 vjeç, i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë po punon për kapjen e autorit të dyshuar dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
© Panorama.al











