Klandestinët,ndalohen 3 shqiptarë në kufirin grek

Jan 9, 2012 | 17:12
Foto Ilustruese

Trafiku klandestin vazhdon të lulëzojë në kufirin shqiptaro-grek. Policia e Janinës, ka mundur të kapë tre shqiptarë, mëngjesin e së hënës, të cilët tentonin të hynin në brendësi të territorit grek, të papajisur me dokumente.

Makina me tre shqiptarë, është kapur nga Policia Kufitare e Pogonit të Poshtëm në Parakalmias të Janinës. Personi që kishte marrë përsipër trafikun klandestin, ishte një 31- vjeçar nga Kashishti i Tepelenës inicialet e të cilit janë M.Y.

Mësohet se 31- vjeçari, i kishte siguruar klientët e vet dy ditë më parë për t’i kaluar drejt shtetit grek, të papajisur me asnjë dokument shoqërues.

Dy shtetasit ishin nga Berati dhe sipas të dhënave paraprake nga ana e Policisë së Janinës, rezultonin si persona të padëshiruar për shtetin grek.

Njëri prej tyre, ishte 21 vjeç i cili kishte shkelur afatet e vendqëndrimit në Greqi para tre muajve dhe ishte kapur nga Policia Greke në Pire ku më pas ishte kthyer për në Shqipëri, së bashku me masën e mosshkeljes së territorit helen për pesë vjet.

Ndërsa tjetri, ishte një 41- vjeçar po nga Berati, i cili rezultonte si person që kishte konsumuar veprën penale të grabitjes së bagëtive në Qefalonja dhe për këtë, ndiqej nga Policia në mungesë. 41- vjeçari dispononte një pasaportë dhe disa dokumente shqiptare të falsifikuara.

Policia greke ka lënë të lirë, 21- vjeçarin ndërkohë që shoferin dhe shtetasin tjetër i ka arrestuar.

Piro Nase

© Panorama.al

Te lidhura