Gjoba, ndërprerje kontratash e deri edhe kallëzim penal. Me këto penalizime janë përballur në 5-mujorin e parë të vitit farmacistët që kanë kontratë me ISKSH-në, depot farmaceutike dhe mjekët e sistemit shëndetësor parësor. Nga kontrollet e ushtruara në Tiranë e në rrethe janë evidentuar një sërë shkeljesh. Nga sa bëri me dije dje Pjerin Kodraçaj, drejtor i Drejtorisë së Kontrollit Farmaceutik dhe Parësorit në ISKSH, për këtë hark kohor janë ushtruar kontrolle në Tiranë, Berat, Durrës, Lezhë, Gjirokastër, Fier. “Sa i përket sektorit farmaceutik, nga 146 subjekte farmaceutike që kanë kontratë me ISKSH-në, janë penalizuar 52 subjekte farmaceutike. Ndaj 52 subjekteve janë vendosur masa administrative me gjobë për 15 subjekte në vlerën 80 000 lekë, kusht penal për 25 subjekte në vlerën 310 000 lekë, si dhe dëm ekonomik për 27 subjekte në vlerën 1 721 579 lekë”, – tha Kodraçaj. Sipas tij, pas identifikimit të shkeljeve, të metave e detyrimeve dhe përgjegjësive që reflektohen në kontratën me farmacitë, u vendos masa administrative me gjobë për diferenca në minus të pajustifikuara me receta pa rimbursim, për parregullsi në dokumentacion sipas detyrimeve kontratuale, për mosprezencë të drejtuesit teknik me kontratë me DRSKSH-të. Po kështu, janë vendosur masa zhdëmtimi për farmacitë që janë rimbursuar padrejtësisht për barna pa i pasur gjendje në farmaci, në kundërshtim me detyrimet kontraktuale me ISKSH-në. Sa i përket parësorit, sektori i kontrolleve monitoroi 456 mjekë familjeje dhe mjekë specialistë, me të cilët ka kontratë ISKSH-ja, nga të cilët janë penalizuar 137. Nga 137 mjekëve janë vendosur masa administrative me gjobë për 33 mjekë me vlerën 76 000 lekë, kusht penal për 20 mjekë me vlerën 88 000 lekë, si dhe dëm ekonomik për 70 mjekë me vlerën 324 467 lekë”, tha drejtori i Drejtorisë së Kontrollit Farmaceutik dhe Parësorit. Problemet kryesore që janë konstatuar me bluzat e bardha janë shkelje të kufizimeve të listës së barnave, shkelje të protokolleve të përdorimit të barnave dhe akteve të ISKSH-së për disa barna të veçanta, parregullsi e theksuar e kartelave klinike me mungesa të ekzaminimeve laboratorike dhe imazherike, të cilat ndihmojnë në vendosjen e diagnozës dhe përcaktimit sa më të saktë të mjekimit. Nga ana tjetër, mjekët nuk argumentojnë siç duhet rastet e reja dhe ato më ndryshim terapie, por bazohen thjesht në rekomandimin e MS dhe jo në bazë të argumentimit të tyre profesional dhe ekzaminimeve të domosdoshme laboratorike sipas protokolleve të përdorimit të barnave. Gjithashtu, është evidentuar kryerje të vizitave për persona të pasiguruar, pa tarifat përkatëse të miratuara. Nuk kanë munguar edhe kontrollet te depot farmaceutike. Janë vendosur masa administrative me gjobë në vlerën 106 000 lekë ndaj depove dhe dëm ekonomik në vlerën 53 234.3 lekë. “Ne total janë kontrolluar 190 subjekte me kontratë me ISKSH-në, ndaj të cilave janë vendosur masa administrative me gjobë për 49 subjekte në vlerën 262 000 lekë, kusht penal ndaj 45 subjekteve më vlerën 398 000 lekë, dëm ekonomik ndaj 98 subjekteve në vlerën 2 099 280 lekë”, tha Kodraçaj.
137 mjeke
që kanë kontratë me ISKSH-në janë penalizuar në rrethe të ndryshme, pasi kanë pasur një sërë mangësish në dokumentacion dhe kanë kryer shkelje me barnat e rimbursuara dhe protokollet e mjekimit të pacientëve
52 subjekteve
farmaceutike u janë vendosur masa administrative. Janë gjobitur 15 prej tyre, ndërsa janë çuar për kallëzim penal 25 subjekte. Për dëm ekonomik, sipas ISKSH-së, janë 27 subjekte që do të shlyejnë detyrimet











