Kakavijë, kthehet në kufi një 75-vjeçar çam

Dec 14, 2011 | 19:12
Dogana e Kakavijës

Kontrollorët grekë të Kakavijes, kthejnë sërish mbrapsht, shtetas shqiptarë me origjinë çame. Rasti më i fundit ka qenë kur shtetasi Hasan Ademaj, nuk mundi dot të kalonte për në Greqi ku së bashku me bashkëmoshatarët e tij të Qendrës Polivalente në Sarandë, do të vizitonin qytetin e Selanikut.

Ademaj me banim në fshatin Janjar të rrethit Sarandë, ishte nisur së bashku me 40 bashkëmoshatarë të tjerë nga Saranda për në Kakavijë. Vendlindja Filat ishte arsyeja e vetme që kontrollorët grekë gjetën si pretekst për të ndalur udhëtimin e Ademajt në Selanik.

I moshuari, shprehet se të gjitha dokumentet që dispononte për udhëtim drejt Greqisë kanë qenë në rregull përfshirë këtu, veç pasaportës biometrike që mundëson hyrjen në hapësirën Shengen pa viza edhe policën e sigurimit.

“Ti je çam dhe nuk ke vend të hysh në Greqi, nuk ka vend për ty këtu, ndaj kthehu andej nga erdhe se mjaft qëndrove në këtë territor”-besohet se i është drejtuar të moshuarit kontrollori grek i policisë kufitare, i cili nuk i kalonte të 40-at.

Pas këtij dialogu, Ademi, ka kërkuar sqarime, por reagimi i policit grek ka qenë mjaft ofendues dhe shumë poshtërues. “Largohu more maskara këtej, mos të të arrestoj në vend për kalim ilegal të kufirit”-ka qenë fjalia që shoqëroi debatin mes policit grek dhe 75- vjeçarit i cili kërkonte sqarime me tone paqësore se përse nuk lejohej të kalonte për në Greqi në kushtet kur i përmbushte të gjitha kushtet që kërkoheshin.

Rasti i Hasan Ademit është i katërti që ndodh në Kakavije brenda një viti ku autoritetet policore kufitare greke, refuzojnë hyrjen e shtetasve shqiptarë me origjinë çame.

Piro Nase

© Panorama.al

Te lidhura