Kakavijë, kthehet në kufi çifti çam

Sep 25, 2011 | 11:51
Dogana e Kakavijës

Në Kakavijën greke ripërsëritet norma e kthimit të shtetasve shqiptarë me origjinë çame. Kontrollorët policorë helenë, paraditen e djeshme kanë kthyer mbrapsht për në territorin shqiptar një çift të moshuarish, me të vetmen arsye, pasi origjina e tyre ishte nga fshati Margllëç, në verilindje të Greqisë, në zonën e Çamërisë greke. Sali Bajo, 65 vjeç nga Durrësi, së bashku me të shoqen e tij dhe me një grup miqsh, janë nisur të vizitojnë të afërmit e tyre në Greqi, mëngjesin e së shtunës. Pasi ka marrë vulën shqiptare, çifti shqiptar ka shkuar në pjesën greke të Kakavijës. Aty ata janë ndeshur në rezistencën e policit kontrollor grek, i cili, me një fjalor të rënduar, refuzoi vendosjen e vulës hyrëse për në Greqi në pasaportat biometrike të çiftit Bajo. Kontrollori grek i është drejtuar të moshuarve se ishin persona të padëshiruar për shtetin helen. Të gjendur në këto kushte, të moshuarit kanë kërkuar sqarime të mëtejshme rreth këtij fakti që acaroi mjaft dialogun mes tyre dhe kontrollorit grek të pasaportave. Situata u bë kritike, pasi dy policë grekë e kanë shtyrë me duar çiftin çam. Këta të fundit kanë kërkuar sqarime përmes një mikut të tyre, të quajtur Petrit Halo, i cili pati kërkuar përkthyes dhe avokat kur u pa se të moshuarit ishin rrethuar nga policët grekë. Duke parë insistimin e tij, grekët kanë dashur madje t’i mbajnë pasaportën edhe atij. Situata në Kakavije u bë mjaft alarmante, pasi u mblodhën efektiva të tjerë, kur u dëgjua zhurmë e madhe nga të bërtiturat e konfliktuesve në debatin verbal dhe më pas në atë fizik. Pasi u qetësua gjendja, çifti Bajo dhe të tjerë që e shoqëronin atë, u kthyen përfundimisht mbrapsht, pa marrë dot vulën hyrëse për në Greqi. Mirëpo, para largimit nga territori grek, çifti Bajo, duke mos ditur greqisht, kanë firmosur nën presionin e policëve fqinj, një dokument ku shkruhej për mospranimin e tyre në Republikën e Greqisë. Ndërkaq, çifti që i shoqëronte bashkëshortët Bajo, ndonëse ka marrë vulën, nuk ka mundur dot të rivulosë pasaportën biometrike për dalje nga Greqia, pasi përzënia ka qenë tepër urgjente dhe “de jure” rezultojnë në shtetin grek. Për gazetën “Panorama” Sali Bajo pohon se në momentin që është paraqitur në sportelin e pikës greke të kontrollit të pasaportave, një nga policët pati nxjerrë një listë ku shënoheshin mbiemrat e atyre qytetarëve me origjine çame që nuk u lejohet hyrja në Republikën e Greqisë. Sipas 65-vjeçarit, këtë veprim kontrollori grek e ka ndërmarrë kur evidentoi vendlindjen e tij, që është fshati Margllëç. Bashkëshortja e tij, Leme Bajo, pohon se është ndryshe të dëgjosh një rast të tillë dhe ndryshe ta përjetosh. Ajo shprehet e indinjuar për trajtimin e bërë nga policët kufitarë grekë. “Na dukej vetja si leckë dhe më e keqja është se në letrën që na detyruan ta firmosnim, thuhej se ne qenkemi konsideruar si persona të rrezikshëm për rendin publik dhe sigurinë e brendshme, për shëndetin publik ose marrëdhëniet ndërkombëtare të një ose shumë shteteve të BE-së”, pohon e moshuara. Ndërkaq, të indinjuar nga kjo sjellje e zakonshme tashmë, bashkëshortët Bajo e Halo, janë kthyer në kufirin shqiptar të Kakavijës të cilët kanë dashur të sqarohen për situatën, por drejtuesit momental në Kakavijën shqiptare, kanë thënë se kjo çështje mund të marrë drejtim vetëm të hënën kur në Kakavije do jetë prezent drejtuesi policor i saj. Ngjarja e djeshme nuk është e vetmja që vjen si rrjedhojë e pengesave artificiale që sjellin policët grekë të Kakavijës për shtetasit shqiptarë me origjinë çame, ndonëse prej më se një viti, është vënë në zbatim liberalizimi i vizave.
GJIROKASTER/ PIRO NASE

BERAT/ Kreu i Aleancës Kuq e Zi: Formulari do ndezë gjakrat

Spahiu: Qytetarë, grisni fletën ku deklarohet kombësia e feja!
BERAT – Kryetari i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, nga qyteti i Beratit u bëri thirrje qytetarëve që të grisin pjesën e formularit ku deklarohet kombësia. Në takimin e djeshëm në këtë qytet, Spahiu u shpreh se kjo po kërkohet nga Berati, vendi i bashkëjetesës ndërfetare. Aktivistët e Aleancës Kuq e Zi kanë shpjeguar se kjo aleancë nuk është dhe nuk mund të jetë kundër regjistrimit të popullsisë, proces i cili pritet të nisë më 1 tetor, por kundër regjistrimit të përkatësisë fetare dhe etnike. Aktivistët Adrian Leka dhe Julian Kola u shprehen se ku tjetër, veç qytetit të Beratit do të ngrihet zëri kundër për këtë regjistrim që synon të zhvillohet në vendin tonë. Berati, sipas fjalës së aktivistëve, është qyteti ku harmonia fetare është e hershme dhe e njohur, dhe regjistrimi i popullsisë mbi baza të etnisë dhe fesë duhet kundërshtuar së pari në këtë qytet të kulturës së njerëzimit. Vetë kryetari i kësaj lëvizjeje, Kreshnik Spahiu, në fjalën e tij përpara qytetarëve të Beratit u shpreh me tone të ashpra. “Kjo qeveri ka shitur gjithçka, të vdekurit, të gjallët, detin, dinjitetin e banorëve të vet dhe ky është dallimi mes kuqezinjve dhe faqezezave. Duhet t’i themi jo formularit të faqezinjve, i cili nuk do të shërbejë tjetër veçse do të ndezë gjakrat mes njerëzve”, deklaroi Spahiu. Ai bëri thirrje për qytetarët, që në momentin kur të kenë në dorë formularin e vetëdeklarimit të heqin pjesë ku shënohet kombësia dhe feja. Nga ana e tyre, qytetarët beratas, pjesëmarrës në takim, kanë shprehur mbështetjen për mbrojtjen e integritetit të vendit dhe interesave të shqiptarëve.

© Panorama.al

Te lidhura