
Policia e Kakavijës, ka bllokuar sot 6 kg marijuane si dhe poseduesin e saj që kishte marrë përsipër kalimin e saj nga Shqipëria për në Greqi.
Anestis Nikolla, 40 vjeç, nga Memaliaj ka tentuar të kalonte përmes Kakavijës, 6 kg marijuanë me destinacionin final Athinën. Lënda narkotike prej 6 kg e cila gjendej në bordin e mjetit tip Mercedez-Benz me targa TR 21 20 I, do të shitej në kryeqytetin grek për 6200 euro.
Ndërkohë, vetë poseduesi e kishte blerë në fshatin Lazarat dy ditë më parë. Pas shoqërimit të Nikollës, grupi hetimor i ngritur me këtë rast, ka ushtruar edhe një kontroll të imtësishëm në banesën e 40- vjeçarit në qytetin e Memaliajt.
Aty u gjetën 2 kg marijuanë në formën e boçes të integruara në disa qese plastmasi. Veç kësaj sasie, gjendeshin tre qese të tjera brenda të cilave kishte sasi lënde narkotike që përdoreshin si mostra për t’ua treguar personave që mund të blinin marijuanën.
Materialet i janë përcjellë Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë, për ndjekje të mëtejshme për veprën penale të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Piro Nase
© Panorama.al











