Policia Kufitare në Kakavije ka sekuestruar sot dy pako në të cilat ndodheshin 3 kg lëndë narkotike e tipit mariuanë, ndërsa poseduesi ka mundur të largohet.
Sipas njoftimit të policisë, “rreth orës 14.30, në Pikën e Kalimit të Kontrollit Kufitar Kakavije , gjatë një kontrolli të ushtruar në një nga autobuzët e linjës ndërkombëtare Tiranë -Athinë , në bagazhin e autobuzit , në një çantë valixhe, poshtë rrobave pesonale kanë konstatuar një qese plasmasi në të cilën kishte dy pako të mbështjella me letër natriban , në formën e rrumbullakët , ku brenda tyre kishte lëndë narkotike të dyshuar si Mariuanë”
Duke përfituar nga lëvizjet e shumta të emigrantëve që kthehen për në vendet e punës, poseduesi i çantës ka mundur të largohet nga vendi, ndërsa policia ka nisur menjëherë punën për kapjen e tij.
Policia e ka identifikuar atë si Aleks Paja , 18 vjeç, lindur dhe banues në Lisaj të rrethit Elbasan , emigrant në Athinë.
Ndërkaq, policia vazhdon punën për kapjen e poseduesit të lëndës narkotike, ku është njoftuar edhe Policia Greke, pasi autori mund të kalojë kufirin.
© Panorama.al











