Kakavije-Janinë, sekuestrohen 20 kg marijuanë, 2 të ndaluar

Nov 14, 2011 | 17:40

Dy furgonë të një kompanie shqiptare që merret me importimin e ferizoleve, është kapur në thellësi të territorit grek me marijuanë. Gjithsej 20 kg marijuanë kanë qenë të fshehura nën tapicerinë e furgonave me targa Fieri të cilët ndërmorën udhëtimin drejt Patras, për të tërhequr sasirat e premtuara të ferizolit që përdoren për izolimin e të ftohtit dhe të nxehtit nëpër pallate apo dhe ndërtesa të tjera.

Pasi janë ndaluar në kilometrin 57 në aksin Kakavije-Janinë, drejtuesit e mjeteve, 45 dhe 47 vjeçarë nga Fieri, nuk kanë bërë rezistencë, madje kanë qenë bashkëpunues me veprimet e policëve grekë.

Brenda në kabina, është gjetur sasia e cila ishte integruar në 20 pako dhe të shpërndara në dhjetë pako për secilën makinë.

Droga mendohet se ka kaluar nga kufiri i gjelbër falë disa personave që kanë hyrë ilegalisht në kufirin grek dhe nën asistencën e shoferëve të arrestuar nga policia helene, kanë mundur të sigurojnë marijuanën në pjesë jo të dukshme të furgonave me qëllim shmangijen e kapjes nga ana e policisë.

Piro Nase

© Panorama.al

Te lidhura