KAKAVIJË- Sekuestrohen 5.1 kg heroine në një autobus të linjës Sarandë-Athinë.
Heroina ka qenë e fshehur në depozitën e ajrit të kondicionuar në autobus. Të dhjetë pakot me heroinë të mbështjellë me letër ngjitëse ngjyrë kafe, janë kapur nga agjentët e Policisë së Antidrogës së Janinës gjatë një kontrolli të përgjithshëm në autobuzin e linjës që ishte nisur nga Saranda me destinacion Athinën.
Shoferi i autobuzit Arjan Murtaj nga Ksamili 43 vjec, është prangosur menjëherë e së bashku me të edhe ndihmësi i tij sarandiot, emri i të cilit ende nuk konfirmohet nga autoritetet policore greke. Kjo pasi mendohet se ai nuk ka pasur dijeni për mallin narkotik.
Autobusi ka qëndruar në radhë në të dy pikat e kontrollit kufitar në atë shqiptare dhe greke për një orë e gjysmë, mjeti ka marrë rrugën drejt Athinës.
Në pesë km thellësi në territorin grek autobusi ndali rrugëtimin. Një postbllok policor i ngritur në kthesën e fshatit Dholana, kërkoi ndalimin e autobuzit dhe kësisoj, ushtrimin e një kontrolli të beftë.
Të gjitha cantat e pasagjerëve janë kontrolluar në detaje e së bashku me to edhe poshtë sediljeve. Duke qenë se informacioni që kishin qëndronte në kushtet e konspiracionit të plotë dhe i sigurtë, kontrolli ka vijuar edhe në zona të tjera të autobuzit kësaj radhe, duke vënë në përdorim edhe qenin e zbulimit të sasive narkotike të quajtur “Xheri”.
Heroina është gjetur pas 30 minutash kontroll fizik të autobuzit ndërkaq që shoferi Arjan Murtaj 43 vjec, ka heshtur gjatë konstatimit të drogës. Ai nuk ka dashur të japë spegime rreth egzistencës së drogës në autobuzin që drejtonte duke kërkuar madje prezencën e avokatit për mbrojtje ligjore. Piro Nase
© Panorama.al











